POLITIKATË FUNDIT

Kurti përuron rrugën Shipashnicë–Desivojcë–Terstenë, investim 3.2 milionë €

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përuruar të mërkurën përfundimin e projektit për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale R124, Shipashnicë–Desivojcë–Terstenë, në Komunën e Kamenicës.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, si dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, projekti ka kushtuar rreth 3 milionë e 256 mijë euro dhe përfshin rehabilitimin dhe asfaltimin e një segmenti rrugor me gjatësi rreth 10 kilometra dhe gjerësi afërsisht 6 metra.

Kurti tha se rruga do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe bizneseve, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të zonës.
“Mundësohet qarkullimi më i shpejtë dhe më i lehtë i qytetarëve, edhe i bizneseve. Është rrugë e rëndësishme për bashkatdhetarët tanë, për bizneset dhe zhvillimin ekonomik, si dhe për turizmin e këtyre zonave të bukura të komunës së Kamenicës”, u shpreh Kurti.

Ai bëri të ditur se punimet janë realizuar për 195 ditë pune, ndërsa në kuadër të projektit është shtruar shtresa bazike dhe ajo përfundimtare e asfaltit, si dhe është vendosur sinjalizimi rrugor për rritjen e sigurisë në trafik.

Kryeministri në detyrë e cilësoi përfundimin e këtij projekti si një lajm të mirë për banorët e zonës, duke uruar qytetarët për investimin e përfunduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *