TË FUNDIT

Mijëra qytetarë protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve në sektorin publik

Mijëra qytetarë dolën të enjten në mbrëmje në rrugët e Lozanës, në shenjë proteste kundër masave të kursimit dhe shkurtimeve të planifikuara në sektorin publik të kantonit të Vaud-it.

Sipas vlerësimeve të agjencisë së lajmeve Keystone-SDA dhe policisë, në protestë morën pjesë nga 6 mijë deri në 8 mijë persona, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri i demonstruesve kaloi 15 mijë.

Protestuesit marshuan nëpër qendrën e qytetit, duke përfunduar në Place du Château, ku ndodhet selia e qeverisë kantonale. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Para për shërbimin publik” dhe “Taksoni të pasurit”, ndërsa pankartat kundërshtonin politikat e kursimit dhe kërkonin ndalimin e shkurtimeve, shkruan Watson .

Tri sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e sektorit publik kërkojnë anulimin e masave shtrënguese të parashikuara në buxhetin kantonal për vitin 2027. Ato i bëjnë thirrje qeverisë që të shfrytëzojë rezervat financiare dhe të ardhurat e jashtëzakonshme për të mbuluar deficitin e parashikuar, në vend që të reduktojë shpenzimet për shërbimet publike.

Drafti fillestar i buxhetit për vitin 2027, i prezantuar në shtator, parashikonte një deficit prej 356 milionë frangash zvicerane. Në këtë projekt ishin përfshirë masa kursimi prej 65 milionë frangash dhe lirimi i rezervave në vlerë prej 440 milionë frangash.

Pas miratimit nga qytetarët, më 27 shtator, të iniciativës për uljen e taksave me 12 për qind, qeveria kantonale u detyrua ta rishikonte projektbuxhetin, transmeton Telegrafi.

Edhe pas ndryshimeve, deficiti i parashikuar mbetet 356 milionë franga, por planifikohen shkurtime shtesë prej 100 milionë frangash, si dhe përdorimi i 172 milionë frangave nga të ardhurat e reja të jashtëzakonshme.

Projektbuxheti aktualisht është duke u shqyrtuar nga Komisioni i Financave i Këshillit të Madh të Vaud-it. Debati parlamentar për të pritet të nisë më 1 dhjetor dhe të vazhdojë deri në pushimet e Krishtlindjeve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *