POLITIKATË FUNDIT

Kurti pas takimit me Shiroka-Pulën: Kosova nuk ka më kohë për të humbur, duhet të bashkohemi për sfidat që na presin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në takimin e parë mes tyre pas zgjedhjes dhe betimit të saj në krye të shtetit.

Pas takimit, Kurti e vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit dhe koordinimit institucional, duke thënë se me presidenten e re ka gjetur gatishmëri dhe vullnet për bashkëpunim në çështjet me rëndësi për shtetin dhe qytetarët.

“Republika e Kosovës, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucione funksionale dhe nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida që i kemi përpara”, deklaroi Kurti.

Ai tha se e ka falënderuar presidenten Shiroka-Pula për pranimin e kandidaturës dhe theksoi se institucionet i presin shumë angazhime, të cilat, sipas tij, duhet të shtyhen përpara sa më shpejt.

“Mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha, të përditshme për interesin shtetëror dhe publik dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se gjatë takimit ka hasur jo vetëm mirëkuptim, por edhe gatishmëri dhe vullnet nga presidentja e re për bashkërendim institucional.

“Unë hasa jo vetëm në mirëkuptimin, por edhe gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt”, u shpreh ai.

Takimi, i cili nisi rreth orës 11:00, ishte i pari mes presidentes Shiroka-Pula dhe kryeministrit Kurti dhe kishte karakter njoftues. Në fokus ishin prioritetet dhe çështjet që e presin presidenten e re gjatë mandatit të saj, për të cilat kërkohet bashkëpunim ndërmjet institucioneve të vendit.

Pas deklaratës për takimin, Kurti nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet e gazetarëve për çështje të tjera aktuale politike.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota në raundin e parë të votimit në Kuvend dhe u betua në orët e para të së mërkurës, më 7 tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *