POLITIKATË FUNDIT

Kurti paralajmëron “goditjen e madhe” ndaj korrupsionit: Byroja për konfiskimin e pasurisë, prioritet i mandatit të ri

Mbrëmë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, kryeministri në detyrë dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, shpalosi planprogramin qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Pas tubimit në Prishtinë, sot Kurti vazhdoi vizitat në familje shqiptare, për ta prezantuar më afër me qytetarët vizionin e tij për shtetin.

Sot, kryeministri në detyrë ishte në fshatin Siqevë të Prishtinës, ku, sipas tij, u diskutua për të ardhmen, planet dhe sigurinë e shtetit.

Në videon e publikuar në Facebook nga kjo vizitë, Kurti foli për domosdoshmërinë e krijimit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Një nga gjërat që mendojmë se do ta përmirësojë shumë Kosovën është sjellja e drejtësisë për plagët e lëna nga korrupsioni. Është e domosdoshme të krijohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nuk mund të ecet pa të. Brezit të ri nuk mund t’ia lëmë kështu Kosovën”, tha ai, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Pasi e prezantuam plan programin për katërvjeçarin e ardhshëm, mbrëmë vazhduam takimet me qytetarë, shtëpi më shtëpi, për ta shpërndarë sa më shumë vizionin tonë qeverisës.

Në Siqevë të Prishtinës folëm mbi nevojat kryesore të fshatit që lidhen me mungesën e kanalizimit, por edhe për nevojat e shtetit dhe planet tona për të. Folëm për mbrojtje dhe sigurinë, për investimet në ushtri dhe për krijimin e xhandarmërisë, si dhe mbrojtjen sociale përmes mbështetjes për nënat dhe fëmijët, dhe sigurimin e kapaciteve tona prodhuese me mbështetjen gjithnjë e në rritje për prodhimtarinë e bujqësinë.

Çdo vendim e punë që e bëjmë nga pozita në shërbim publik, matet e vlerësohet nga brezat e ardhshëm, nga Kosova që do t’ua lëmë trashëgimi fëmijëve tanë. E ne po punojmë fort, për shtet zhvillimor, prosperues e progresist, që nuk e lë askënd mbrapa. Më 7 qershor, voto 116, Lëvizjen VETËVENDOSJE!, që të vazhdojmë në rrugën tonë të drejtë e të përbashkët për një shtet për krejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *