Kurti kërkon rishikimin e rasteve me rrezik të lartë brenda 72 orëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ka kërkuar rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë brenda 72 orëve, si dhe një raport të detajuar për reagimin e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekaj.
“Një bashkëqytetare jona kërkoi, por nuk e mori mbrojtjen që i duhej për të mbetur gjallë. Arlinda Zekaj u vra sot. Vrasja mizore e Arlinda Zekaj është tejet tronditëse për të gjithë ne”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se Arlinda, tri ditë para se të vritej, i ishte drejtuar prokurorisë duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj, ndërsa kërkoi hetim të plotë për mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar denoncimet e saj.
“Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse duhet të sqarojnë se si janë trajtuar denoncimet e saj, pse paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës nuk është parandaluar me masa konkrete mbrojtëse dhe nëse ka pasur neglizhencë apo mosveprim nga zyrtarët përgjegjës. Çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të trajtohet sipas ligjit”, theksoi Kurti.
Kryeministri tha se përgjegjësia për dhunën i takon atij që e ushtron, ndërsa institucionet kanë detyrimin të sigurojnë mbrojtjen e viktimave.
“Prandaj pyetja pse një grua nuk është larguar nuk mund të shtrohet duke shpërfillur atë që largimi do t’i kushtonte dhe mbrojtjen që do ta kishte në dispozicion. Qëndrimi, kthimi apo hezitimi për të denoncuar nuk ia kalojnë asaj përgjegjësinë për dhunën”, tha ai.
Kurti kritikoi edhe neglizhencën e mundshme institucionale, duke kërkuar llogaridhënie nga zyrtarët përgjegjës.
“Kjo është arsyeja pse kur të hetojmë, duhet t’i hetojmë edhe hetuesit. Kur të presim prej prokurorëve, do të na duhet t’i akuzojmë edhe ata. E kur kemi të bëjmë me gjykatësit, do të na duhet të mendojmë edhe kush do t’i gjykojë ata”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim të fjalimit, Kurti propozoi dy masa konkrete: që Ministria e Punëve të Brendshme, përmes strukturave kompetente të policisë, të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë, si dhe që Ministria e Drejtësisë, brenda të njëjtit afat, të paraqesë një raport të detajuar për reagimin ose mosreagimin e secilës hallkë të zinxhirit institucional në rastin e Arlinda Zekajt.
“Për Arlindën kemi detyrimin e drejtësisë. Për gratë që sot jetojnë nën kërcënim kemi detyrimin e mbrojtjes në kohë”, përfundoi Kurti.
