POLITIKATË FUNDIT

“Kurti do të jetë i vdekur”, ekspertët e sigurisë reagojnë ndaj kërcënimit alarmues – kërkojnë që…

“Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”, ky është mesazhi i publikuar të premten nga organizata terroriste serbe “Severna Brigada”.

Ndaj këtij kërcënimi me eleminim fizik, kanë reaguar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se më 8 maj 2026, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës ka bërë të ditur ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të publikuar në rrjete sociale nga profili “Severna Brigada”, e njohur edhe si “Brigada e Veriut”, organizatë e shpallur terroriste nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) janë ndërmarrë menjëherë veprime intensive hetimore, me mbështetjen e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

“Është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë facebook.com/severna.brigada.2025”, thuhet në njoftim.

Autoritetet kanë bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës, duke shtuar se janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit.

Po ashtu, nga analizat e njësive kompetente janë identifikuar edhe të dhëna shtesë që, sipas Policisë, mund të ndihmojnë në hetimin e mëtejshëm nga Polica e Kosovës dhe PSRK.

Ekspertët e sigurisë thonë se kërcënimet e tilla duhet të merren me seriozisht dhe se institucionet e sigurisë duhet të reagojnë, madje edhe të bashkëpunojnë edhe me ndërkombëtarët.

Serioziteti i kërcënimit

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, thotë në prononcimin e tij për “Bota sot” se kërcënimet ndaj kryeministrit Albin Kurti duhet të trajtohen me seriozitet maksimal.

ImageFidair BerishaFoto galeri
Sipas tij, kjo thirrje e organizatës terroriste serbe përbën jo vetëm kërcënim ndaj figurës shtetërore, por edhe sulm ndaj rendit demokratik dhe sigurisë institucionale në Kosovë.

“Kërcënimet publike ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kurrsesi nuk guxojnë të neglizhohen. Madje, unë mendoj se ato duhet të trajtohen me seriozitet maksimal nga institucionet e sigurisë, pavarësisht nëse vijnë nga individë apo grupe që synojnë të krijojnë frikë dhe destabilizim politik. Përkundër faktit se historia rrallë njeh raste kur paralajmërohet eliminimi i një burri shteti, kjo thirrje për eliminim fizik të kryeministrit Kurti përbën jo vetëm kërcënim ndaj figurës shtetërore, por edhe sulm ndaj rendit demokratik dhe sigurisë institucionale në Kosovë. Këto kërcënime vijnë nga Serbia dhe tashmë është e njohur botërisht se politika serbe ndaj Kosovës ka orkestruar veprime të tilla, të cilat mund të interpretohen si përpjekje për të tensionuar situatën politike dhe të sigurisë, veçanërisht në veri të vendit, ku vazhdojnë të ekzistojnë ndjeshmëri të larta politike dhe etnike”, deklaron Berisha.

Rasti kërcënues me eleminim fizik ndaj kryeministrit, sipas Berishës, përdore për propagandë apo frikësim psikologjik.

Sipas tij, historia ka treguar se Serbia sapo t’i jepej mundësia ka vepruar.

“Në rastin konkret, edhe nëse ky kërcënim përdoret për propagandë apo frikësim psikologjik, institucionet e Kosovës nuk duhet t’i neglizhojnë këto veprime, sepse historia ka treguar se Serbia, po t’i jepej mundësia, do të vepronte edhe me akte konkrete dhune. Institucionet e sigurisë së Kosovës, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, duhet të zhvillojnë hetime të menjëhershme për identifikimin e autorëve, njëkohësisht të rrisin masat mbrojtëse ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe të monitorojnë çdo aktivitet që mund të lidhet me ndonjë sulm të mundshëm”, thekson eksperti.

Ai e konsideron të rëndësishme reagimin institucional, duke shtuar se përgjigjja më e fortë ndaj këtyre veprimeve mbetet vigjilenca dhe funksionimi i ligjit, ruajtja e stabilitetit institucional dhe refuzimi i gjuhës së dhunës i mjet politik.

“Është shumë e rëndësishme që reagimi institucional të jetë i matur dhe profesional, në mënyrë që të parandalohen raste të tilla që do të mundësonin përshkallëzim të tensioneve ndëretnike. Përkundër këtyre mesazheve kërcënuese, Kosova ka kapacitet të përballet me çfarëdo situate e cila do ta rrezikonte sigurinë e vendit. Mesazhi i fundit nga organizata terroriste serbe “Severna Brigada” ka për qëllim frikësimin e institucioneve, krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe njëkohësisht testimin e reagimit të shtetit. Megjithatë, përgjigjja më e fortë ndaj këtyre veprimeve mbetet vigjilenca dhe funksionimi i ligjit, ruajtja e stabilitetit institucional dhe refuzimi i gjuhës së dhunës si mjet politik”, shton Berisha.

Organizata terroriste “Severna Brigada”, u shpallë organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës me një vendim në qershor të vitit 2023, bashkë me të u shpallë organizatë terroriste edhe “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”).

Nevoja për reagim institucional

Kurse, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” mesazhin kërcënues ndaj kryeministrit Kurti, e sheh si vazhdë të luftës së egër hibride nga grupet terroriste.

ImageArben DashevciFoto galeri
Ai kërkon që kërcënimi të trajtohet seriozisht me preventivën maksimale.

“Po është publikuar një mesazh kërcënimi për Kryeministrin e Kosovës nga organizata “BRIGADAT E VERIUT – Severna Brigada”, ku thuhet: “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”. E konsideroj si vazhdë e luftës së egër hibride nga këto grupe që janë të shpallura si terroriste nga institucionet tona. Kjo nuk është hera e parë që kërcënime të tilla adresohen ndaj institucioneve të Kosovës, por në rrethanat aktuale, kur në baza ditore kemi deklarata dhe kërcënime nga krerët e shtetit serb, duke filluar nga Vuçiqi dhe establishmenti i tij politik, se po presin momentin e përshtatshëm për të ndërhyrë në Kosovë me ushtri, atëherë edhe ky kërcënim i fundit duhet të trajtohet dhe trajtohet seriozisht me preventivën maksimale”, deklaron Dashevci.

Sipas tij, duhet gjithashtu bashkëpunim me partnerët dhe aleatët strategjikë ndërkombëtarë.

“Institucionet përgjegjëse trajtojnë çdo rast mendoj unë me seriozitet të plotë dhe në koordinim, bashkëveprim, bashkëpunim me partnerët dhe aleatët strategjik ndërkombëtarë, reagojnë shpejtë, në kohë, gjithmonë në funksion të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në vend. Pra, Republika e Kosovës dhe institucionet e sigurisë/Policia/AKI i ka departamentet e saja të specializuara dhe profesionale ku trajtojnë çdo lloj kërcënimi nga kushdo qoftë në 24/7”, shton eksperti.

Kujtojmë se “Severna Brigada” është përmendur edhe më herët në raste të incidenteve dhe kërcënimeve me prapavijë ekstremiste në veri të Kosovës, ndërsa mesazhi i fundit konsiderohet si përshkallëzim i retorikës kërcënuese ndaj institucioneve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *