Eksperti i sigurisë flet për kërcënimet ndaj Kurtit – zbërthen mesazhin që u përçua nga Serbia!
Një mesazh kërcënimi me jetë për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është publikuar nga grupi i njohur si ‘Severna Brigada’.
“Severna Brigada” në qershor të vitit 2023 është shpallur si organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës përmes një vendimi zyrtar.
Kryeministri Albin Kurti atëherë kishte deklaruar se këto grupe paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë, përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se mesazhi kërcënues për Kurtin është bërë nga brenda territorit të Serbisë. Policia njofton gjithashtu se ka identifikuar informacione që mund të ndihmojnë hetimin.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Ai thotë sekërcënimet publike ndaj Albin Kurti nuk duhen parë si thjesht fjalë apo propagandë në internet, por si pjesë e një strategjie më të gjerë politike dhe psikologjike, ku grupe radikale serbe dhe aktorë të tjerë mund të synojnë destabilizimin e Kosovës, krijimin e frikës dhe tensioneve ndëretnike, dëmtimin e imazhit të shtetit para ndërkombëtarëve dhe ushtrimin e presionit ndaj institucioneve dhe udhëheqjes së vendit.
“Kërcënimet publike ndaj Kryeministrit të Kosovës, sidomos kur vijnë nga struktura që përdorin emërtime si “Severna Brigada”, nuk duhet të trajtohen vetëm si retorikë propagandistike apo aktivitet i izoluar në rrjete sociale. Në kontekstin e sigurisë në Ballkan, këto mesazhe kanë dimension psikologjik, politik dhe operacional.
Nga një këndvështrim strategjik, përfituesit potencialë të një situate të tillë mund të jenë disa kategori aktorësh:
struktura radikale nacionaliste serbe që synojnë destabilizimin e veriut të Kosovës dhe prodhimin e tensioneve ndëretnike; aktorë politikë që kërkojnë të paraqesin Kosovën si zonë të paqëndrueshme para faktorëve ndërkombëtarë; rrjete hibride të influencës që përdorin frikën, polarizimin dhe kërcënimet për të testuar reagimin institucional të Kosovës; si dhe elemente të lidhura me operacione informative dhe psikologjike që kanë për qëllim krijimin e presionit ndaj lidershipit shtetëror”, u shpreh eksperti i sigurisë.
Duke vazhduar bisedën Shala shpejgon që grupe si “Severna Brigada” mund të jenë rrjete të fshehta ose të koordinuara nga jashtë për të krijuar frikë dhe destabilizim, prandaj hetimet duhet të shkojnë përtej autorit të kërcënimit dhe të analizojnë lidhjet, financimet dhe komunikimet e tyre.
“Në aspektin e sigurisë dhe inteligjencës, ekziston gjithmonë mundësia që emërtime të tilla të mos përfaqësojnë domosdoshmërisht një organizatë të strukturuar në formën klasike, por të përdoren si “ombrellë operative” për individë, grupe ekstremiste, rrjete kriminale ose aktorë të koordinuar nga jashtë. Në Ballkan kemi parë modele ku grupet hibride kombinojnë propagandën online, elementin paramilitar, narrativat nacionaliste dhe mbështetjen logjistike apo informative nga qarqe të caktuara rajonale.
Pikërisht për këtë arsye, hetimi institucional duhet të fokusohet jo vetëm tek autori i publikimit, por tek:
a. infrastruktura digjitale,
b. lidhjet eventuale financiare,
c. komunikimet ndërkufitare,
d. kontaktet me grupe ekstremiste,
e. dhe çdo element që mund të tregojë koordinim më të gjerë operacional”, shpjegoi ai.
Në fund, eksperti po thotë se këto kërcënime synojnë të krijojnë frikë dhe të testojnë institucionet e Kosovës, ndërsa vendi po përballet me kërcënime hibride ku propaganda dhe ekstremizmi janë gjithnjë më të ndërlidhura.
“Në dimensionin politik, një kërcënim i tillë synon gjithashtu të prodhojë efekt psikologjik te opinioni publik dhe të testojë rezistencën institucionale të Kosovës. Prandaj reagimi duhet të jetë profesional, institucional dhe i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.
