TË FUNDIT

Kur Prishtina kishte vetëm tri restorante!

“Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik. Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht.

Nga: Antigona Uka (Shtojca “Jeta”, rubrika “Studentët dikur e tash”, Javorja “Zëri”, 2002)

Gjeneratat e mëhershme të studentëve, ato të viteve të gjashtëdhjeta e më vonë, argëtoheshin ndryshe nga studentët e sodit. Në argëtimin e tyre kishte diçka të pashpjegueshme e që linte mbresa të pashlyeshme. Ishte kjo dashuria dhe respekti që ushqenin ndaj njëri-tjetrit, ndaj shokut, mikut, të dashurit/ës, apo kishte diçka tjetër?! Së paku kështu mendojnë ata. Ndoshta vërtet ishin kohë më të mira, apo ata të kaluarën e shohin nën dritën roze të nostalgjisë për rininë e tyre. Megjithatë, të rinjtë e shekullit të ri duket se janë të vetëdijshëm se megjithatë u mungon diçka nga vlerat e gjeneratave të mëhershme kosovare. Se si e kalonin kohën e lirë kur ishin studentë apo si e kalojnë ata të sotmit – për “Jetën” flasin breza të ndryshëm studentorë …

Numri i pakufishëm i lokaleve vetëm në kryeqytet, është pothuajse e vetmja mënyrë argëtimi për të rinjtë, derisa për gjeneratat e mëhershme lokalet numëroheshin në gishtat e njërës dorë, fillimisht përmenden vetëm tri të tilla e pastaj numri i tyre filloi të rritej shumë ngadalë.

“Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik.

Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht. “Është e pamundshme të dalësh sot në ndonjë lokal e të mos hasësh në të rinj që konsumojnë alkool, dehen e pastaj çdo gjë kalon në ekstrem”.

Vendet ku rinia, sidomos adoleshenca i kalon ditët e sotme, janë diskotekat, të cilat i vizitojnë edhe studentët.

Ardiana Musa, studente nga Peja, është një nga të rejat kosovare që argëtimin kryesor e gjen në diskotekën “Diabllo”. Ardiana nuk e viziton teatrin e pothuajse as kinon, me përjashtim kur ka ndonjë film shumë të mirë për medimin e saj. Ardiana, si shumë bashkëmoshatarë të saj, është viktimë e kohës në të cilën po jetojmë. As ajo s’mund të ndryshojë diçka nga rrjedha e jetës, apo të organizojë diçka individualisht.

Organizimet brenda universitetit tonë mungojnë. Po ashtu mungon edhe respekti i shoqërisë, ngase, sipas saj, shumica e studentëve ndahen në grupe sipas regjioneve prej nga vijnë.

Derisa gjeneratat para nesh argëtoheshin më shumë në teatër, në kino, por edhe në ballo që ata i organizonin me vetiniciativë, të rinjve të sotëm ballot u duken si shumë ‘demode’, ndërsa arsyen pse nuk e vizitojnë teatrin nuk dinë ta shpjegojnë as vetë.

“Pse një student të mos e vizitojë teatrin?” – pyet Nuhi Kuqinja, ish-student në vitet e ‘80-ta.

“Mendoj se njëri prej institucioneve, i cili ndikon në ngritjen e nivelit të kulturës, është teatri. Aty ne mësonim dhe merrnim mesazhe të ndryshme të cilat nuk do t`i harrojmë kurrë”, thotë ai.

Por, disa të rinj kanë përgjigje edhe për këtë mungesë të tyre në teatër.

“Teatri nuk është ndonjë vend i cili tërheq. Aty më tepër ka artistë në skenë sesa publik në sallë”, thotë Xhelal Çollaku, student i vitit të katërt në Fakultetin e Kimisë.

Xhelali hamandet të japë ndonjë shpjegim për mos vizitë të teatrit, duke harruar se në karriget e sallës duhet të ulet ai me shokët e tij e jo aktorët.

Edhe pse secili nga të rinjtë e anketuar i konsideron si monotone mbrëmjet e kaluara në kafiteritë e kryeqytetit, megjithatë asnjëri prej tyre s’mund të heqë dorë nga vizita e tyre. Ata i gjen sërish aty, ditën, natën, vikendeve, aty në njërën nga kafiteritë e preferuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *