TË FUNDIT

“Kur do të marshoni për Smajlin?” – Fazli Hajdaraj kritikon figurat e LDK-së pas “Marshit për Liri”

Fazli Hajdaraj, vëllai i ish-deputetit të LDK-së dhe komandantit të UÇK-së, Smajl Hajdaraj, ka reaguar pas “Marshit për Liri”, duke shprehur zhgënjimin e tij me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e disa figurave të LDK-së. Ai kërkon që, krahas drejtësisë për të akuzuarit në Hagë, të kërkohet edhe zbardhja e vrasjeve politike të pasluftës.

Hajdaraj e nisi reagimin me pyetjen: “Po Adem Jashari, a ishte UÇK?”, ndërsa tha se në marsh kishte parë edhe figura të rëndësishme të LDK-së, të cilat nuk dëshironte t’i përmendte fillimisht me emër.

“Kur ata nuk kanë moral dhe ndërgjegje, unë nuk mund t’ua jap”, shkroi ai.

Vëllai i Smajl Hajdarajt pyeti se ku ishte i njëjti sensibilitet kur u vranë veprimtarët e LDK-së dhe përse partia nuk organizoi protesta për zbardhjen e këtyre rasteve.

“Ku ishte marshi për Ahmet Krasniqin, Xhemajl Mustafën, Shaban Manajn, Smajl Hajdarajn, Ismet Rracin, Tahir Zemajn, Enver Malokun dhe shumë të tjerë? Ku ishte protesta e LDK-së për të kërkuar zbardhjen e këtyre vrasjeve?”, pyeti Hajdaraj.

Ai theksoi se për të kjo nuk është vetëm histori politike, por edhe dhimbje personale dhe familjare.

“Unë jam vëllai i njërit nga të vrarët. Për mua kjo nuk është histori politike. Është dhimbje familjare, është një plagë që nuk është mbyllur”, shkroi ai.

Hajdaraj tha se ka kaluar vjet të jetës së tij në LDK, ka shërbyer në këtë parti dhe ka qenë i gatshëm të sakrifikojë për të. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, askush nuk mund t’i thotë se nuk e di çfarë kanë përjetuar njerëzit e LDK-së dhe familjet e tyre.

“Dhe pikërisht për këtë më dhemb kur shoh se bashkëpartiakët e mi gjejnë kohë dhe vullnet të marshojnë për të tjerët, por nuk gjejnë forcë të organizojnë qoftë edhe një protestë për të kërkuar drejtësi për të vrarët e LDK-së”, deklaroi ai.

Përmend mungesën e familjes Jashari

Në reagimin e tij, Fazli Hajdaraj përmendi edhe faktin se familja Jashari nuk u pa në protestë. Megjithatë, ai sqaroi se nuk dëshiron të spekulojë për arsyet e mungesës apo t’ua interpretojë heshtjen.

“Familja Jashari nuk u bashkua në këtë protestë. Nuk dua të spekuloj për arsyet e tyre dhe nuk kam të drejtë t’ua interpretoj heshtjen. Por kjo më shtyn të bëj një pyetje që meriton përgjigje: A ishte Adem Jashari UÇK?”, shkroi ai.

Hajdaraj tha se Adem Jashari është një nga figurat themelore të UÇK-së dhe të luftës për liri, prandaj pyeti përse mungesa e familjes së tij nuk po merr vëmendje në debatin publik.

U drejtohet figurave të LDK-së

Në vazhdim, Hajdaraj iu drejtua me emër Lutfi Hazirit, Avdullah Hotit, Arban Abrashit, Isa Mustafës dhe Hykmete Bajramit, si dhe figurave të tjera të LDK-së që mbështetën marshin.

“A ju kujtua Smajl Hajdaraj? A ju kujtua Ahmet Krasniqi? A ju kujtua Xhemajl Mustafa? A ju kujtua Shaban Manaj? A ju kujtua Ismet Rraci? A ju kujtua Tahir Zemaj? Apo këta burra kanë mbetur jashtë kujtesës politike të partisë së tyre?”, pyeti ai.

Hajdaraj theksoi se nuk kërkon që dikush të dënohet pa prova dhe pa vendim gjykate, si dhe se nuk kërkon hakmarrje apo drejtësi selektive.

“Po kërkoj të njëjtën gjë për të gjithë: drejtësi. Nëse duhet të zbardhen akuzat ndaj njerëzve që po gjykohen në Hagë, le të zbardhen. Por në të njëjtën kohë duhet të zbardhen edhe vrasjet politike pas luftës në Kosovë”, shkroi ai.

Sipas tij, duhet të hetohet çdo pistë, të pyetet çdo dëshmitar, të shqyrtohet çdo provë dhe të gjenden urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, nëse ka të tillë.

“Nuk mund të ketë ‘drejtësi për ju’ dhe ‘harresë për tanët’. Nuk mund të ketë moral politik vetëm kur na duhet”, theksoi Hajdaraj.

Në fund të reagimit, ai tha se nuk po kërkon të zgjidhet mes UÇK-së dhe LDK-së, por që të mos harrohet asnjë viktimë shqiptare dhe asnjë familje që ende pret drejtësi.

“Sepse Adem Jashari ishte UÇK. Dhe Smajl Hajdaraj ishte LDK, ishte komandant. Të dyja janë pjesë e historisë sonë”, shkroi ai.

Reagimin e përmbylli me pyetjet:

“Kur do të marshoni për Smajlin? Kur do të marshoni për Ahmet Krasniqin? Kur do të marshoni për Xhemajl Mustafën? Kur do të marshoni për të gjithë të vrarët politikë? Apo për ta nuk ka ardhur ende koha e ndërgjegjes?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *