TË FUNDIT

Kujdes me zgjatuesit elektrikë – këto pajisje shtëpiake nuk duhet t’i lidhni kurrë në to

Zgjatuesit elektrikë janë praktikë kur në shtëpi mungojnë prizat, por jo të gjitha pajisjet shtëpiake mund të lidhen në to.

Përdorimi i gabuar mund të shkaktojë mbingarkesë elektrike, mbinxehje, dëmtim të pajisjeve dhe madje zjarr.

Ndër pajisjet që rekomandohet të lidhen drejtpërdrejt në prizën e murit janë frigoriferët, ngrirësit dhe mikrovalët, si dhe ngrohëset elektrike dhe kondicionerët.

Edhe pajisjet e kuzhinës, si tosterët dhe aparatet e kafesë, mund të konsumojnë shumë energji, sidomos kur përdoren njëkohësisht.

Kujdes duhet treguar edhe me tharëset dhe hekurat për flokë, pasi ato mund të kërkojnë fuqi të lartë elektrike.

Zgjatuesit që nuk janë të përshtatshëm për këtë ngarkesë mund të mbi nxehen dhe të krijojnë rrezik për sigurinë.

Gjithashtu, duhet shmangur lidhja e disa zgjatuesve njëri pas tjetrit.

Për pajisje me konsum të ulët, si karikuesit e telefonave dhe llambat e vogla, zgjatuesit mund të jenë të përshtatshëm, për sa kohë që respektohet ngarkesa maksimale e lejuar.

Për të shmangur aksidentet, përdorni zgjatues cilësorë dhe të padëmtuar, mos i mbingarkoni dhe kushtojini vëmendje çdo shenje mbi nxehje, ere të pazakontë apo ndryshimi të ngjyrës së prizës ose kabllit.

Nëse vëreni probleme të tilla, ndërpriteni përdorimin menjëherë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *