Ku ndryshon vizita e Hashimit më 2018-ën me të Albinit më 2026-ën në Armeni!
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Më 11 tetor 2018 presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishin në kryeqytetin armen, Jerevan, për të marrë pjesë në Samitin e radhës të Frankofonisë. Po ashtu me datën 4 maj 2026 në Jerevan u zhvillua Samiti i Tetë i Komitetit Politik të Europës, ku morën pjesë rreth 50 liderë europianë, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Deri këtu, kjo që shkrova është thjesht lajm. Tani të vijmë te përmbajtja.
Në vitin 2018 bashkë me Ramën dhe Thaçin ishte në Jerevan edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në samitin e fundit presidenti serb mungoi. Pra nuk ishte i pranishëm, pavarësisht se media të afërta me Lumir Abdixhikun shpifën, kur thanë se Kurti ishte takuar atje me Aleksandër Vuçiq dhe botuan një foto të vjetër e të montuar keq. Para gjashtë vitesh të tre liderët e tri vendeve ballkanike, ai i Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës, rendën me vrap drejt Armenisë, sepse donin të kishin kohë të mjaftueshme për të bindur presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Interesi i tyre ishte Macron dhe jo njohja nga Armenia ose ndonjë vend tjetër. Pse Macron?
Sepse prej kohësh të tre liderët autokratë të Ballkanit në fjalë po punonin dhe vepronin për axhendën e ndarjes së Kosovës. Por Merkel ishte kundër kësaj ideje. Ata nuk e dinin saktësisht qëndrimin e presidentit francez. Duhej “bindur” ai që të ecte përpara plani i ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Në fakt Mcron duhej të shndërrohej në lobist të kësaj axhende. Prandaj shkuan të tre këta, Thaçi, Rama dhe Vuçiq, në samitin e Frankofonisë. Asokohe u postuan fotografi me ato takime dhe madje pati një komunikim të gjatë midis Thaçit dhe Macron, përkthyes i të cilit ishte Edi Rama. Duhet marrë me mend se si kryeministri i Shqipërisë e ka shfrytëzuar përkthimin me axhendën e tij e të Vuçiq midis Thaçit dhe Macron. Pra duhet kuptuar se përkthimi ka qenë i përshtatur sipas shijeve Rama-Vuçiq të ndarjes së Kosovës.
Ndërsa në fillimin e kësaj jave ndodhi ndryshe. Albin Kurti u takua më së pari me kryeministrin e Armenisë. Kundërshtarët e tij thanë se “Kurtoviç po takohet me miqtë e Rusisë”, duke nxjerrë nga goja jashtëqitjen e radhës të trurit të tyre. Pyesnin edhe se “Pse në sfondin e atij takimi nuk ishte flamuri i Kosovës”, gjë që nuk mund të ndodhte me një vend që zyrtarisht nuk e njeh një vend tjetër! Në fakt e vërteta u përmbys ndryshe. Kryeministri armen i dha përgjigje kritikës, kur në statusin e tij fjalën Kosovë e zevendësoi me flamurin e Kosovës, duke dëshmuar faktin se vendi i tij e njeh ose së shpejti do ta njohë shtetin e Kosovës. Ky takim ishte shumë i rëndësishëm për axhendën e Kurtit për njohjen e shtetit të Kosovës. Njohja nga Armenia është e një rëndësie të jashtëzakonshme.
Ndërkohë viizita e Thaçit më 2018-ën nuk pati në fokus njohjen e Kosovës nga Armenia. Njohja ishte herezi në kushtet e përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Sepse të kërkosh njohje për një shtet, territori i të cilit është në tavolinën e bisedave për ndarje, është absurditet. Por tashmë Kosova ka dalë nga absurditeti dhe i është kthyer normalitetit. Tani ajo kërkon bashkim e njohje, nuk kërkon ndarje. Para gjashtë vitesh kërkohej me ngulm ndarja e saj. Qoftë dhe vetëm ky fakt e zhvleftëson krejtësisht kritikën e Hashim Thaçit të para pak ditëve në emisionin e Blendi Fevziut kundër qeverisë Kurti. Në fakt ajo kritikë ishte sikur e kishte shkruar Edi Rama në Tiranë.
Ndërkohë ka dhe një ndryshim tjetër midis vizitës së Thaçit dhe të Kurtit në Armeni. Pas Jerevanit Thaçi i vijoi takimet për ndarjen e Kosovës edhe në Paris në krah të presidentit rus, Vladimir Putin, ndërsa Kurti pas takimit me kryeministrin armen zhvilloi bisedime me kryeministrin britanik Starmer, presidentin e Ukrainës, Zelensky dhe autoritete të tjera europiane. Ishte ky event një dëshmi i qëndrimeve krejt të ndryshme të Albin Kurtit krahasuar me qëndrimet dhe veprimet e Hashim Thaçit në kohën e sundimit të tij autokratik.
