Kryeministri slloven, Jansha ultimatum pushtetit të ri në Serbi!
Kryeministri slloven, Janez Jansha i ka vendosur një kusht pushtetit të ri në Serbi për të mbështetur anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, përcjell INA.
Përpara se Lista Studentore të fillojë formimin e qeverisë së re serbe, kryeministri slloven Janez Jansha u ka vendosur tashmë një ultimatum.
“Derisa të mos dorëzojnë të gjitha arkivat e UDBA-s, Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (JNA) dhe shërbimeve të tjera të ish-Jugosllavisë, Sllovenia nuk do ta mbështesë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ai.
Në vend të urimit për fituesit absolutë të zgjedhjeve serbe, Jansha shkroi se Sllovenia do ta përshëndetë vendimin e pushtetit të ri për përshpejtimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por me një kusht:
“Nuk do të japim pëlqimin për asnjë përparim derisa Serbia të mos i dorëzojë Sllovenisë të gjithë arkivën e UDBA-s, SDV-së, JNA-së, ZSNZ-së dhe shërbimeve të tjera të ish-RSFJ-së që kanë të bëjnë me Slloveninë.”
Pas këtij postimi në platformën X, ai shpërndau edhe një mesazh të Igor Omerzës, i cili i referohet komisares evropiane për zgjerim, Marta Kos. Ajo, pas fitores së Listës Studentore, ka shkruar se Serbisë i janë hapur dyert e Bashkimit Evropian. Postimi i Omerzës i referohet librit të tij për Marta Kos-in, ku pretendon se komisarja ka bashkëpunuar me UDBA-n.
“Është e mundur të gjendet edhe ajo dokumentacion. Bashkimi Evropian prej kohësh kërkon të hapen të gjitha arkivat sekrete të policisë politike, përfshirë edhe atë serbe. Këtë do të duhet ta bëjnë edhe pa mua apo kryeministrin Jansha. Natyrisht, kryeministri nëgjeroi se kjo është një çështje shumë e rëndësishme, për të sqaruar se si janë zhvilluar këto gjëra në Slloveni, sepse as sot nuk e dimë saktësisht se cilët kanë qenë të gjithë bashkëpunëtorët e UDBA-s”, ka shkruar Omerza.
Marta Kos nuk i ka komentuar këto pretendime tani, shkruan 24ur, por disa herë i ka hedhur poshtë akuzat se ka punuar si informatore për shërbimin sekret jugosllav.(INA)
