POLITIKATË FUNDIT

Krasniqi: Indinjata si zhanër dhe shëndetësia publike si viktimë e saj

Shkruan: Vetiola Krasniqi

Indinjata si zhanër dhe shëndetësia publike si viktimë e saj

Sa herë që një status viral godet shëndetësinë publike, vlen të bëhet një pyetje e thjeshtë: nga vjen kjo indinjatë dhe ku shkon pasi shuhet?

Sepse indinjata ndaj sistemit shëndetësor ka dy burime shumë të ndryshme, edhe pse në sipërfaqe duken njësoj.

E para është indinjata e atij që përballet për herë të parë. Qytetari që deri dje s’kishte pasur nevojë për spitalin publik, hyn një ditë me fëmijën e sëmurë dhe zbulon një realitet që për mijëra familje të tjera ka qenë i përditshëm prej dekadash. Kjo indinjatë është e sinqertë dhe e kuptueshme. Por ajo ka një defekt strukturor, ajo e gjykon sistemin nga një fotografi e vetme, pa e ditur se si dukej ai sistem dje, para pesë vitesh, para pesëmbëdhjetë vitesh. Ajo që për të sapoardhurin është skandal, për ata që e njohin historikun është (me gjithë problemet e pamohueshme) një gjendje dukshëm më e mirë se ajo që trashëguam.

E dyta është indinjata si instrument. Ajo që shfaqet e organizuar, e amplifikuar dhe çuditërisht selektive: e zëshme sot, memece gjatë viteve kur i njëjti sistem shkatërrohej nga brenda përmes punësimeve partiake, tenderëve të dyshimtë dhe braktisjes së investimeve. Kjo indinjatë nuk kërkon zgjidhje por kërkon efekt. Dhe efekti i saj matet me dëmin që i shkakton besimit publik, jo me përmirësimin që sjell.

Të dyja këto bashkohen shpesh në një sjellje që meriton emërtim të qartë: kritika ndaj publikes me njërën dorë, braktisja e saj me tjetrën. Njerëz që e denoncojnë spitalin publik me patos qytetar dhe të nesërmen regjistrohen në klinikën private shpesh te mjekët e të njëjtit sistem publik që sapo e shkatërruan me fjalë. Kjo është e drejtë individuale dhe askush s’e kontestón. Por le ta themi hapur pasojën e saj që, çdo largim i shtresës që ka zë, ndikim dhe mundësi ekonomike e lë institucionin publik më të vetmuar, më të varfër në presion qytetar konstruktiv dhe më të lehtë për t’u goditur. Institucionet publike nuk vdesin vetëm nga keqmenaxhimi ato vdesin edhe nga braktisja e atyre që do të duhej të luftonin për to.

Dhe pikërisht shëndetësia publike e pëson më së shumti nga kjo qasje. Sepse ajo është institucioni që s’mund të zgjedhë pacientët e vet, që i mban dyert hapur për ata që s’kanë alternativë, dhe që çdo dështim ia sheh bota, ndërsa çdo përmirësim kalon pa u vënë re. Askush s’shkruan status kur lista e pritjes shkurtohet, kur furnizimi me barna stabilizohet, kur pagat e infermierëve rriten. Statusi shkruhet vetëm kur diçka shkon keq dhe kështu krijohet një pasqyrë publike sistematikisht më e zezë se realiteti.

Prandaj duhet thënë edhe kjo, jo si mburrje, por si fakt që, shëndetësia publike e Kosovës nuk është ajo e para dhjetë vitesh. Buxheti është rritur ndjeshëm, investimet në infrastrukturë janë të prekshme, pagat e punonjësve shëndetësorë janë ngritur, furnizimi me barna është përmirësuar. A mjafton? Jo. Dëmi i dekadave nuk riparohet për pak vite dhe problemet që ende ekzistojnë në higjienë, në organizim, në komunikim me pacientët janë reale dhe duhen adresuar pa asnjë justifikim. Por një diskutim i ndershëm publik i njeh të dyja edhe problemet, edhe progresin. Kush e njeh vetëm njërën, nuk po bën kritikë po bën propagandë.

Shëndetësia publike nuk ka nevojë për performanca indinjate, ajo ka nevojë për investime, reforma dhe vazhdimësi institucionale. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për qytetarë e politikanë që e kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: institucionin publik e forcon kritika e atij që qëndron brenda dhe kërkon llogari jo goditja e atij që e braktis dhe pastaj e qan nga jashtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *