Uncategorized

Alicia Kearns kritikon Serbinë për varrimin e kriminelit Ratko Mlladiq me nderime shtetërore

Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar ashpër ndaj raportimeve se Ratko Mlladiq, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, do të varroset në Serbi me nderime të larta shtetërore.

Përmes një postimi në platformën X, Kearns ka kritikuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë e Serbisë, duke thënë se ata mohojnë gjenocidin e Srebrenicës, ndërsa tani planifikojnë ta varrosin me nderime të plota personin që dha urdhrat për kryerjen e krimeve.

“Vuçiqi dhe Qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Tani do ta varrosin njeriun që dha urdhrat, Ratko Mlladiqin, me nderime të plota. Kjo është një rrëfim”, ka shkruar Kearns.

Ajo ka shtuar se, megjithëse Mlladiqi ka vdekur, miliona boshnjakë vazhdojnë të jetojnë, duke e cilësuar jetën e tyre si një fitore ndaj trashëgimisë së tij.

Reagimi i deputetes britanike vjen pas raportimeve se Serbia planifikon t’i bëjë varrim me nderime të larta shtetërore Mlladiqit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Ndryshe, ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, ka konfirmuar se ish-komandanti i ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte, do të varroset në Serbi me nderime të plota shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *