TË FUNDIT

Kosova planifikon kurrikula të reja profesionale për sektorin e gastronomisë

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare planifikon që gjatë vitit 2027 të zhvillojë pesë kurrikula profesionale afatshkurtra për sektorin e gastronomisë dhe mikpritjes, me synimin që aftësimi i të rinjve të përshtatet me nevojat e tregut të punës.

Sipas ministrit Andin Hoti, kurrikulat do të përfshijnë profilet e kuzhinierit, ndihmës kuzhinierit, kamarierit, banakierit dhe recepsionistit.

Në kuadër të këtij plani, ministria parasheh edhe trajnimin e së paku 10 trajnerëve të Qendrave të Aftësimit Profesional, si dhe pilotimin e mësimit në vendin e punës në katër institucione të arsimit dhe aftësimit profesional, përfshirë një Qendër të Aftësimit Profesional.

Këto masa synojnë të forcojnë lidhjen ndërmjet aftësimit profesional dhe punësimit, duke u mundësuar të rinjve të fitojnë shkathtësi praktike në përputhje me kërkesat e bizneseve.

Ministri Hoti bëri të ditur këto plane gjatë pjesëmarrjes në aktivitetin “Roots & Flavors: Chef’s Day 2026”, të organizuar në kuadër të fushatës “Serve Your Future” dhe projektit HoReCa Kosova të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), me rastin e Ditës së Kuzhinierit, në “Lura Agroturizëm”.

Në aktivitet morën pjesë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, koordinatori i ILO-s për Kosovë, Blerim Murtezi, si dhe përfaqësues të institucioneve, profesionistë të gastronomisë dhe të rinj.

Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e aftësimit profesional për zhvillimin e sektorit të gastronomisë dhe mikpritjes, si dhe në krijimin e mundësive më të mira për punësimin e të rinjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *