Eksperti gjerman me mesazh për Ramën: Dialog me protestuesit, jo tensione politike
Studiuesi i Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP), Nikola Xaviereff, ka deklaruar se protestat e të rinjve në Shqipëri po sfidojnë jo vetëm qeverinë e Edi Ramës, por edhe eliten tradicionale politike.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të përdorë ndikimin e tij për të nxitur dialogun mes qeverisë dhe protestuesve, në të kundërtën rrezikon të humbasë besueshmërinë te qytetarët shqiptarë.
Në intervistën për Deutsche Welle, Xaviereff vlerëson se lëvizja protestuese shpreh pakënaqësi të gjerë ndaj sistemit politik, ndërsa mungesa e një udhëheqjeje të qartë politike mbetet një nga karakteristikat e saj.
Sipas tij, sikurse lëvizjet e tjera protestuese në Evropë, edhe kjo lëvizje mund të rrisë presionin mbi pushtetin dhe t'u japë shtysë partive që kërkojnë ndryshime politike.
Eksperti thekson se protestat vënë në pikëpyetje pushtetin e kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se qeveria duhet të tregojë gatishmëri për dialog dhe t'i japë më shumë hapësirë pjesëmarrjes së shoqërisë civile.
Duke komentuar deklaratat e Ramës se protestat mund të rrezikojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Xaviereff e kundërshton këtë argument, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, protestat nxjerrin në pah hendekun mes reformave ligjore që Shqipëria ndërmerr për t'u përafruar me standardet e BE-së dhe ndryshimeve konkrete në funksionimin e institucioneve.
Ai vlerëson se studentët mund t'i kërkojnë Brukselit të ushtrojë ndikimin e tij mbi qeverinë shqiptare, në mënyrë që shqetësimet e qytetarëve të merren seriozisht.
“Pretendimi se protestat rrezikojnë procesin e integrimit evropian është një frazë politike pa përmbajtje”, është qëndrimi i Xaviereffit në intervistën për Deutsche Welle.
Sipas ekspertit, fakti që Shqipëria synon anëtarësimin në BE duhet të shërbejë si arsye shtesë për respektimin e standardeve demokratike dhe për përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Një tjetër çështje e trajtuar në intervistë është pakënaqësia e një pjese të protestuesve ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian kundrejt qeverisë shqiptare.
Xaviereff thekson se shqiptarët përgjithësisht vazhdojnë të kenë një qëndrim pozitiv ndaj BE-së dhe e lidhin integrimin evropian me shtetin e së drejtës, qeverisjen e mirë, transparencën, lirinë e medias dhe standardet demokratike.
Megjithatë, sipas tij, të rinjtë presin që Bashkimi Evropian të përdorë ndikimin e tij për të mbështetur kërkesat për reforma dhe përgjegjshmëri institucionale.
“Nëse kjo nuk ndodh, BE-ja rrezikon të humbasë besueshmërinë”, paralajmëron studiuesi.
Ai shton se, në afat të shkurtër, pakënaqësia ndaj qëndrimit të Brukselit nuk pritet ta vërë në pikëpyetje mbështetjen e përgjithshme të shqiptarëve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas Xaviereffit, Bashkimi Evropian mund t'i trajtojë shqetësimet e studentëve në raportin vjetor për zgjerimin dhe të theksojë se protestat paqësore janë pjesë e një debati demokratik.
Ai sugjeron që Brukseli t'i kërkojë qeverisë në Tiranë t'i marrë seriozisht kërkesat e protestuesve, duke i lidhur ato me standardet dhe kapitujt e negociatave për anëtarësim.
Ndërkaq, Gjermania mund të luajë rol përmes Procesit të Berlinit, duke i bërë thirrje udhëheqjes politike shqiptare të kontribuojë në uljen e tensioneve, të ruajë qetësinë dhe të tregojë përmbajtje.
Intervista e Deutsche Welle-s nënvizon se lëvizja e të rinjve në Shqipëri nuk duhet parë vetëm si kundërshtim ndaj qeverisë aktuale, por edhe si shprehje e pakënaqësisë ndaj establishmentit tradicional politik.
Sipas ekspertit të DGAP-së, mënyra se si qeveria dhe institucionet evropiane do t'u përgjigjen këtyre kërkesave mund të ndikojë në besimin e qytetarëve te demokracia dhe te procesi i integrimit evropian ./Telegrafi/
