Kontestimi i zgjedhjes së presidentes, Cakolli jep sqarimin juridik
Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar mundësinë e kontestimit të zgjedhjes së presidentes së Kosovës.
Cakolli tha se vendimi i Kuvendit mund të kontestohet drejtpërdrejt nga së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta paraqesin kërkesën brenda tetë ditësh.
Sipas tij, një “njoftim” në Gjykatën Kushtetuese nuk ka efekt pezullues mbi zgjedhjen e presidentes. Ai shtoi se Gjykata mund të mbikëqyrë zbatimin e aktgjykimeve të saj, por kjo nuk nënkupton automatikisht anulimin e një vendimi të ri të Kuvendit.
Postimi i plotë:E vetmja palë e autorizuar pë ta kontestuar drejtpërdrejt vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes mbrëmë, janë së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta parashtrojnë kërkesën brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit. Nëse brenda këtij afati nuk parashtrohet kërkesë, kjo rrugë e kontestimit mbyllet.
Dërgimi i një “njoftimi” në Gjykatën Kushtetuese nuk ka, në vetvete, asnjë efekt pezullues mbi zgjedhjen. Edhe nëse pretendohet që Kuvendi ka shkelur aktgjykimin, duhet të përcaktohet nëse është përmbushur kushti për shpërndarjen e Kuvendit.
Gjykata mund ta mbikëqyrë zbatimin e aktgjykimit të vet. Por kjo kompetencë opsionale nuk përbën, vetvetiu, rrethanë të sigurtë që Gjykata merr autorizim për ta anuluar një vendim të ri të Kuvendit duke anashkaluar kushtet e nenit 113.5.
