Konkurrencë Haradinajt për president po i bëjnë Timja dhe Ganja?!
Haradinaj me bujë e paraqiti dëshirën e tij që të bëhej president i Kosovës, duke i numëruar meritat e tij si luftëtarë, si përkufizues i vijës kufitare me Maqedoninë mbi Bllacën e me Malin e Zi mbi Çakorrin e Zhlebin, pastaj premtimet e vizave, tentativat që ta hidhte në kurthe kriminelin Radojçiq e shumë raste të tij në të mirë të atdheut.
Ai nuk i zuri ngoje blerjet e tokave në Deçan apo pasuritë që e posedon, po ato janë gjëra që i takojnë biznesit dhe sferës private.
Këto ishin vetëm disa nga pikat kryesore të meritave të zotit Haradinaj, të referuara në dokumentin e paraqitur zyrtar për kandidim, por për indinjatë është se zotit Haradinaj po i paraqitet konkurrencë në kandidimin për president.
Në seancën e fundit të parlamentit, zonja Time Kadrijaj, të cilën se kishte llogaritur askush për asgjë, i nxori vezët dhe e shënjestroi kryeministrin zotin Albin Kurti.
Të gjithë mbetën të habitur. Timja sa hapë e mbyll sytë, nga mediumet më të rëndësishme botërore, u bë yll i ditës. Pamjet nuk ishin aq të bukura, pasi fotot e paraqisnin në mënyrë të shëmtuar, po aq i bënë kujt për pamjen e saj. Kryesore ajo doli nga anonimiteti. Kjo pra ishte një shenjë e qartë se Timja, me aksionin e vezëve, e vulosi njëherë e përgjithmonë të ardhmen e saj. Ajo do të hyjë në garën e fuqishme, për presidente të Kosovës.
Dhe kjo nuk do jetë e tëra, e as e vetmja. Në skenë sot po ashtu në seancën e kuvendit doli sërish Ganja. Sot nuk ia kapi Kurtit, mikrofonin, po pasi e kishte mbush bakallin me ujë të freskët, ia ktheu zonjës Nagavci dhe në këtë vapë gushti, i bëri dush publik para të pranishmëve. Duartrokitjet nuk munguan, kryesisht nga PD.
Se çfarë do të ndodhë tutje, jemi në pritje, por pati shtyre, ofendime, kërcënime hudhje dhe goditje me letra, e shumë gjëra të cilat i kanë kapur kamerat, ose janë gjiruar me celular, nga grupi i cirkut të PD e AAK në parlamentit.
Një pasqyrë më e qartë dhe e zgjeruar duke iu referuar edhe mediave ndërkombëtare, do ta shohim dhe mësojmë në orët e mbrëmjes.
Kryesorja gjërat po vijnë duke u sqaruar. Derisa para pak ditësh nuk deklarohej askush dhe asnjëri, përpos zotit Haradinaj për president, sot kemi edhe dy kandidate të reja të cilat këtë kandidaturë po e shpallin me aksionet e tyre në të mirë të atdheut.
Është fat i madh që Kosova ka personalitete të tilla. Aq më e rëndësishme është që ato janë edhe femra, për të cilat atdheu, o sot o kurrë, ka nevojë për to.
Ne edhe gjatë historisë ishim dëshmitar për figurën e femrës shqiptare, por këto dyja, Ganja dhe Timja, po i vënë maje patriotizmit.
Kombi do të mburret me to, pavarësisht se cila nga këto dyja, do të emërohet presidente e Kosovës.
