TË FUNDIT

Imeri paralajmëron LDK-në: Mos u përfshini në kauzat e PDK-së dhe AAK-së

Haki Imeri ka dalë me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke kërkuar që kjo parti të mos bashkohet politikisht me PDK-në dhe AAK-në.

Përmes një postimi në Facebook, Imeri u është drejtuar “miqve nga LDK-ja”, duke pretenduar se kjo parti nuk duhet të përfshihet në, siç i quan ai, “kauzat dhe aktivitetet kriminale të PDK-AAK-së”.

Sipas Imerit, PDK-ja dhe AAK-ja kanë kauza që, në vlerësimin e tij, i shërbejnë “fqinjit verior” dhe grupeve kriminale serbo-shqiptare.

“LDK-ja nuk duhet të përfshihet në kauzat dhe aktivitetet kriminale të PDK-AAK-së”, ka shkruar Imeri.

Ai ka vazhduar me akuza edhe më të rënda, duke pretenduar se disa prej kauzave politike synojnë dobësimin dhe shpërbërjen e shtetit të Kosovës.

“Kauzat e partive të krimit sajohen për ta shpërbërë shtetin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Në postimin e tij, Imeri i bën thirrje LDK-së që të bashkëpunojë vetëm me ata që, sipas tij, “nuk i kanë duart e zhytura me gjak”.

Ai ka përmendur edhe qëndrimin e Perëndimit, duke pretenduar se partnerët perëndimorë nuk i mbështesin drejtuesit politikë që përballen me akuza të rënda.

Postimi i Imerit vjen në një kohë të tensioneve dhe përplasjeve të vazhdueshme mes partive politike në Kosovë, ndërsa debati për bashkëpunimet dhe aleancat e mundshme politike vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *