Konjufca porosi Daçiqit
“Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës u shfaqën sërish hapur këtë javë, kur zëvendëskryeministri i saj, Ivica Daçiq, deklaroi gjatë një tubimi zgjedhor se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”. Një retorikë e tillë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit nuk i përkasin aspak së kaluarës.
Vetëm dy ditë më vonë, Milan Radoiçiq, i kërkuar nga Interpoli për sulmin terrorist që e organizoi në Banjskë, u shfaq përkrah Danilo Vuçiqit në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kragujevc, ku Vuçiqi kërcënoi sërish pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Këto nuk janë provokime të izoluara. Ato nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike: ekspansionizëm territorial në retorikë dhe pandëshkueshmëri për agresionin e armatosur në praktikë.
Serbia nuk mund të pretendojë se angazhohet për paqe dhe integrim evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë e kontestojnë haptazi sovranitetin e Republikës së Kosovës, kurse organizatori i sulmit terrorist me viktima në Banjskë, i cili e ka pranuar vetë përgjegjësinë për organizimin e tij, vazhdon të jetë i lirë dhe të shfaqet publikisht përkrah familjes së presidentit, në vend që të përballet me drejtësinë.
Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, ashtu siç nuk është e negociueshme as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë.”
