Kompania franceze AKUO Energy fiton ankandin e parë të energjisë nga era në Kosovë, investimi kap vlerën e 150 milionë eurove
Kompania franceze AKUO Energy SAS është shpallur fituese e ankandit të parë të energjisë nga era në Kosovë, me kapacitet të ofruar prej 98 megavatësh (MW) dhe çmim prej 75.94 euro për megavatorë (MWh).
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Ekonomisë, sipas së cilës çmimi fitues është 5.31 për qind më i ulët se çmimi tavan prej 80.20 euro/MWh, i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Në këtë proces konkurrues fillimisht ishin kualifikuar tri kompani dhe konsorciume nga Franca, Turqia, Gjermania dhe Kosova. Pas vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare, si dhe përfundimit të afatit për ankesa pa u pranuar asnjë ankesë, AKUO Energy SAS u shpall zyrtarisht fituese.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, realizimi i projektit pritet të sjellë investime prej rreth 150 milionë eurosh në sektorin energjetik të Kosovës. Projekti synon rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, uljen e varësisë nga importi, forcimin e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Përmbyllja e këtij ankandi vjen pas ankandit të parë solar me kapacitet prej 100 MW dhe paraqet një tjetër hap në zbatimin e objektivave të Strategjisë së Energjisë 2022–2031.
Hapi i radhës është nënshkrimi i marrëveshjeve të projektit, të cilat do të përcaktojnë të drejtat dhe obligimet e palëve për realizimin e investimit.
Ankandi është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, si dhe të Qeverisë së Luksemburgut përmes agjencisë LuxDev.
