POLITIKATË FUNDIT

Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Vukovarin, i kërkon Serbisë të hapë arkivat për 1.725 të zhdukurit

Parlamenti Evropian ka miratuar sot në Strasburg një rezolutë kushtuar 35-vjetorit të rënies dhe shkatërrimit të qytetit kroat të Vukovarit, duke i bërë thirrje Serbisë të hapë arkivat shtetërore për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Rezoluta, e para që i kushtohet posaçërisht vuajtjeve të këtij qyteti kroat, u iniciua nga eurodeputeti kroat Karlo Ressler nga HDZ-ja dhe Partia Popullore Evropiane (EPP). Në dokument theksohet se kujtesa për Vukovarin nuk i përket vetëm Kroacisë, por gjithë Evropës.

Rezoluta shpreh nderim për viktimat e Vukovarit dhe përmend krimet e kryera në fermën e Ovçarës, në kampet e burgimit të ngritura nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA), si dhe në qendrën Velepromet, ku u mbajtën të burgosur gjatë luftës. Ai përmend gjithashtu fjalimin e Slobodan Millosheviqit në Gazimestan më 1989 dhe konceptin e “Serbisë së Madhe”, si dhe kërkimfaljen e ish-presidentit serb Boris Tadiq në Ovçara më 2010.

Serbisë, sipas rezolutës, i kërkohet të hapë arkivat për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Kroacia ende kërkon 1.725 persona të zhdukur nga lufta, ndërsa në tekstin përfundimtar është përfshirë edhe pritja e familjeve të personave të zhdukur, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, për të marrë përgjigje.

Parlamenti Evropian në rezolutë gjithashtu ka thënë se dënon fuqishëm çdo formë të mohimit, minimizimit apo glorifikimit të krimeve të luftës. Në këtë kontekst, në rezolutë përmenden edhe nderimet e bëra për Ratko Mlladiqin gjatë varrimit të tij në Beograd në shtator të këtij viti.

Rezoluta u miratua pas tërheqjes së një propozimi alternativ nga grupi liberal, të paraqitur nga eurodeputeti austriak Helmut Brandstatter. Organizatat joqeveritare nga Kroacia dhe rajoni e kishin mbështetur atë version, pasi u bënte thirrje të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën, të bashkëpunonin për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Në Kosovë 1.579 persona vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur nga lufta e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *