Këshilli i Banorëve i shkruan Përparim Ramës, kërkon anulimin e vendimit për “Ulpiana 2030 Legacy”
Këshilli i Banorëve të lagjes “Ulpiana” në Prishtinë i ka kërkuar Kuvendit Komunal të Prishtinës anulimin e vendimit për caktimin e lokacionit për projektin “Ulpiana 2030 Legacy”, i cili ishte miratuar më 6 nëntor 2026.
Në një kërkesë drejtuar kryesuesit dhe të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me kopje edhe për kryetarin Përparim Rama, banorët kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj lokacioneve të përcaktuara për realizimin e këtij projekti.
Sipas tyre, hapësirat e caktuara për projektin nuk janë të lira për ndërtime të reja, por janë pjesë e strukturës ekzistuese të lagjes dhe ndikojnë drejtpërdrejt në hapësirat e përbashkëta, gjelbërimin, qarkullimin dhe cilësinë e jetesës.
“Ne, banorët e Lagjes ‘Ulpiana’, shprehim shqetësimin se lokacionet e përcaktuara për këtë projekt nuk paraqesin hapësira të lira për ndërtime të reja, por janë pjesë e strukturës ekzistuese të lagjes, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në hapësirat e përbashkëta, gjelbërimin, qarkullimin dhe cilësinë e jetesës”, thuhet në kërkesë.
Banorët gjithashtu pretendojnë se vendimi është në kundërshtim me kërkesat ligjore që rregullojnë planifikimin dhe ndërtimin urbanistik, pasi, sipas tyre, është marrë pa konsultimin dhe përfshirjen e tyre në proces.
Ata kanë theksuar se e drejta për informim dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse garantohet me legjislacionin në fuqi.
“Kjo qasje rrezikon qëndrueshmërinë e mëtejme të lagjes, zvogëlimin e hapësirave publike, cenimin e cilësisë së jetesës së banorëve, si dhe humbjen e një prej monumenteve të trashëgimisë institucionale të vjetër të Komunës së Prishtinës”, thuhet më tej në dokument.
Këshilli i Banorëve ka paralajmëruar se, në rast se kërkesa nuk merr mbështetjen dhe adresimin e duhur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, do t'u drejtohen edhe organeve të tjera kompetente për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të banorëve.
Megjithatë, ata kanë shprehur pritjen që Komuna e Prishtinës të tregojë përgjegjësi institucionale dhe të mos marrë vendime që, sipas tyre, nuk marrin parasysh kërkesat, interesat dhe të drejtat e banorëve të lagjes “Ulpiana”. / Telegrafi /
