TË FUNDIT

Kërkohet ndërtimi i një çerdheje publike në Vushtrri për rreth 400 fëmijë

OJQ-ja “Iniciativa për Angazhim Publik” në Vushtrri ka njoftuar se më 2 tetor 2026 ka dorëzuar pranë organeve komunale, kryetarit të Komunës së Vushtrrisë dhe Drejtorisë së Arsimit një kërkesë për ndërtimin e një çerdheje publike.

Sipas kësaj iniciative, çerdhja e propozuar do të kishte kapacitet për të akomoduar rreth 350 deri në 400 fëmijë, të moshës nga 9 muaj deri në 4 vjeç.

Propozimi parasheh që objekti të ndërtohet në një pronë komunale, në afërsi të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF), Shkollës së Mesme të Ulët “1” dhe Shkollës Fillore “Ali Kelmendi”.

Nga “Iniciativa për Angazhim Publik” kanë thënë se kjo kërkesë synon të adresojë nevojën për rritjen e kapaciteteve të kujdesit dhe edukimit të hershëm për fëmijët në Vushtrri.

Sipas tyre, ndërtimi i një çerdheje të tillë do të mund të kontribuonte edhe në lehtësimin e barrës financiare të familjeve, duke u ofruar prindërve një alternativë publike për kujdesin ndaj fëmijëve.

Iniciativa ka bërë të ditur se pret nga Komuna e Vushtrrisë që ta shqyrtojë kërkesën dhe të japë një përgjigje lidhur me realizimin e këtij propozimi. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *