KEK: Njësia A4 në proces të startimit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit ka filluar procesi i startimit të njësisë A4 të TC Kosova A.
KEK thekson se startimi është fazë e domosdoshme teknologjike për rikthimin në operim të njësive që punojnë me linjit.
“Gjatë ngrohjes graduale të kaldajës dhe stabilizimit të procesit të djegies, tymi nga oxhaku mund të jetë përkohësisht më i dukshëm. Për njësinë A4, kjo fazë pritet të zgjasë rreth 3–4 orë. KEK e kupton shqetësimin që mund të shkaktojë tymi i dukshëm dhe kërkon mirëkuptimin e banorëve të zonës dhe të Komunës së Obiliqit gjatë kësaj faze”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se me përfundimin e procedurave të startimit, njësia A4 pritet të sinkronizohet së shpejti me rrjetin elektroenergjetik dhe të kalojë gradualisht në operim të qëndrueshëm. /Telegrafi/
