Kastrati pret familjen e policit të ndjerë Altin Kryeziu: Familja e tij është edhe familja ime
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka pritur në zyrën e tij familjen e policit të ndjerë Altin Kryeziu, me të cilën ka ndarë kujtime dhe emocione për humbjen e tij.
Përmes një postimi, Kastrati ka shprehur afërsinë dhe respektin për familjen Kryeziu, duke theksuar se lidhja me ta tashmë është shumë e veçantë.
“Familja e Altinit është edhe familja ime!”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit, babai i Altinit, Elmi Kryeziu, së bashku me familjarët, i kanë dorëzuar edhe një letër mirënjohjeje, e cila, sipas tij, e ka prekur emocionalisht.
Kastrati ka thënë se mirënjohja i takon familjes së Altinit për besimin dhe afërsinë e treguar.
“Altini nuk është mes nesh, por kujtimi për të do të mbetet gjithmonë. Baca Elmi dhe familja e tij, gjithmonë do ta kenë derën time të hapur”, ka shkruar ai.
Në fund, kryetari i Malishevës ka kujtuar policin e ndjerë me fjalët: “I paharruar qofsh, Altin!”. /Telegrafi/
