Jeton Sopa pas sulmit: Më sulmuan për publikimin e fakteve për hajnitë dhe dallaveret e personave që u prijnë protestave nën logon e UÇK-së
Gazetari i Portalit “Kosova News”, Jeton Sopa, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj tij pranë objektit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një reagimi të publikuar pas incidentit, Sopa ka treguar se ishte në vendin e ngjarjes për të kryer detyrën e tij si gazetar, ndërsa ka thënë se, pavarësisht fyerjeve dhe kërcënimeve, kishte zgjedhur të qëndronte i qetë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ai ka bërë të ditur se pas sulmit është paraqitur në stacionin policor për ta raportuar rastin.
Sopa ka deklaruar se sulmi, sipas tij, ka ardhur si pasojë e punës së tij si gazetar, veçanërisht e hulumtimeve dhe publikimeve për, siç shprehet ai, “hajnitë dhe dallaveret” e personave që ndodheshin në mesin e protestuesve.
“E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të punës sime si gazetar, e cila ka të bëjë me hulumtimet dhe publikimin e fakteve për hajnitë dhe dallaveret e pikërisht këtyre personave që sot u prijnë protestave nën logon e UÇK-së”, ka shkruar Sopa.
Gazetari ka thënë se kërcënimet dhe sulmet nuk do ta ndalin në punën e tij.
“Nëse këta mendojnë se me kërcënime dhe sulme të tilla mund ta ndalin të vërtetën, e kanë shumë gabim”, ka deklaruar ai.
Sopa ka shtuar se “e vërteta nuk frikësohet përballë rrenës dhe mashtrimit”.
“Prandaj, unë frikësohem nga frikacakët që e sulmojnë të vërtetën”, ka shkruar gazetari.
Në fund të reagimit, Sopa ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur publikisht dhe i kanë shkruar privatisht pas incidentit.
“Faleminderit!”, ka përfunduar ai.
