TË FUNDIT

Jeta po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë: Shporta sindikale arrin në mbi 70 mijë denarë

Kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të rritet. Si shporta minimale sindikale, ashtu edhe shporta mesatare e konsumit e llogaritur nga Qeveria, kanë shënuar rritje, ndërsa dallimi mes tyre mbetet mbi 11 mijë denarë.

Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), vlera e shportës minimale sindikale për muajin nëntor ka arritur në 70.827 denarë. Kjo është për 469 denarë më shumë krahasuar me muajin tetor, kur shporta kushtonte 70.358 denarë.

Ndërkaq, nëse llogariten edhe shpenzimet për qiranë e një banese prej 60 metrash katrorë, vlera e shportës sindikale arrin në 86.202 denarë. Vetëm për qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje nevojiten 21.754 denarë.

Sipas përllogaritjeve të LSM-së, familjet shpenzojnë 25.902 denarë për ushqim dhe pije, 6.379 denarë për shpenzime komunale dhe 5.105 denarë për transport.

Shporta e Qeverisë arrin në 59.149 denarë

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, shporta mesatare e konsumit për muajin tetor ka arritur në 59.149 denarë, që është për 942 denarë ose 1,6 për qind më shumë krahasuar me muajin shtator.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, bëri të ditur se rritja më e madhe është regjistruar te ushqimet dhe pijet, veçanërisht te perimet dhe frutat.

Rritje është vërejtur edhe në kategoritë e banimit, veshmbathjes dhe këpucëve, rekreacionit dhe kulturës, si dhe te energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera.

Durmishi tha se Inspektorati Shtetëror i Tregut po i monitoron çdo ditë lëvizjet e çmimeve.

“Për momentin, çmimet janë brenda kufijve të një stabiliteti relativ të tregut. Qëllimi ynë është të ndërhyjmë vetëm nëse ka nevojë, përkatësisht nëse ekziston arsyetim ekonomik. Nëse njoftohemi nga Inspektorati Shtetëror i Tregut për sjellje devijuese të tregtarëve, atëherë do të veprojmë”, deklaroi Durmishi.

Qeveria pret që inflacioni të zbresë nën 3 për qind

Duke folur për inflacionin, ministri bëri të ditur se norma mujore në tetor ishte 0,4 për qind, ndërsa ajo vjetore arriti në 3,3 për qind.

“Sipas tij, në eurozonë inflacioni është 4 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut ka tregues më të ulët. Megjithatë, objektivi është që inflacioni në vend të zbresë nën 3 për qind deri në fund të vitit.

Sa i përket pagës minimale, Durmishi njoftoi se Qeveria është duke punuar për rritjen e saj.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *