Jashari fiton duelin zviceran me Freulerin, Milani përmbys Olympiacosin nga 0:2 në 4:2
AC Milan ka bërë një rimontim spektakolar në Pire, duke mposhtur 4:2 Olympiacosin në xhiron e pestë të Ligës së Evropës, pasi kishte humbur 0:2 në fillim të pjesës së dytë. Në mesfushën e Milanit luajti nga fillimi Ardon Jashari, zviceran me origjinë shqiptare, i cili e fitoi duelin me shokun e kombëtares, Remo Freulerin.
Olympiacos kaloi në epërsi në minutën e 31-të, kur goditja me kokë e Lorenzo Pirolas nga këndi preu traversën, goditi portierin Mike Maignan dhe hyri në rrjetë. Në minutën e 49-të Jota Silva e dyfishoi epërsinë, pasi Freuler e lançoi me një pasim të përsosur, shkroi SRF.
Kthesa erdhi në vetëm 15 minuta. Omari Hutchinson shënoi në minutën e 56-të pas një aksioni individual dhe pastaj përgatiti golat e Alphadjo Cissés (63) dhe të Christian Pulisic (71). Amerikani, që kishte hyrë nga stoli në pushim, e çoi Milanin përpara me një goditje nga ajri. Diego Moreira vulosi fitoren në minutën 90+5, në një kundërsulm.Jashari, i lindur në Cham të Zvicrës nga një familje shqiptare e rajonit të Pologut në Maqedoninë e Veriut, sipas biografisë zyrtare të klubit, kishte thënë para ndeshjes se kishte motivim shtesë për duelin me Freulerin. Ai e luajti ndeshjen deri në fund, ndërsa Goal.com i dha notën 6 nga 10 dhe e vlerësoi për punën për ta ndalur lojën e kundërshtarit.
Për Milanin, që kishte humbur tri nga katër ndeshjet e mëparshme në këtë garë, ishte fitorja e dytë në Ligën e Evropës dhe i çon në gjashtë pikë. Olympiacos, deri tani i pamposhtur, pësoi humbjen e parë dhe mbetet në 10 pikë.
