Ja kush mund të jetë president i ardhshëm i Kosovës?
Shkruan: Shqiprim Pula
PROPOZIM PËR PRESIDENT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PROFESOR DR. NEXHMEDIN SPAHIU
Të respektuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të respektuara parti politike parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
Duke marrë parasysh rrethanat aktuale politike dhe domosdoshmërinë për zgjedhjen e një kandidati konsensual, si qytetar i Republikës, ju drejtohem me respekt juve, deputetëve shqiptarë, përfaqësuesve të pakicave joserbe dhe përfaqësuesve të pakicës serbe, me bindjen se Profesor Dr. Nexhmedin Spahiu përfaqëson një zgjedhje dinjitoze dhe të denjë për President të Republikës së Kosovës.
Biografia
Profesor Dr. Nexhmedin Spahiu ka kryer studime në Shqipëri, Kroaci, Hungari dhe Gjermani. Ai ka botuar dhjetëra libra dhe ka publikuar një numër të madh artikujsh në gazeta e revista, duke trajtuar tema politike, historike dhe kombëtare, si dhe çështje me karakter ndërkombëtar. Ai është një intelektual shqiptar, profesor universitar, studiues, matematicient, politikolog, analist dhe personalitet i njohur i jetës publike, brenda dhe jashtë vendit.
Njohja ime me Prof. Dr. Nexhmedin Spahiun
U njoha me Profesor Nexhin në vitin 2010, kur isha i angazhuar si ligjërues në IBCM në Mitrovicë. Përmes mikut tim të ndjerë, Behlul Beqaj, pata rastin ta njoh nga afër. Në atë kohë, Profesor Nexhi organizonte emisione politike në RTV Mitrovica, ku edhe unë mora pjesë disa herë si i ftuar. Që atëherë e gjerë më tani kam pasur mundësinë të njoh përkushtimin e tij ndaj çështjeve shtetërore, angazhimin intelektual dhe gatishmërinë për dialog me të gjithë.
Sot besoj se ka ardhur koha që Profesor Dr. Nexhmedin Spahiu të konsiderohet seriozisht për detyrën më të lartë shtetërore.
Ai e meriton këtë besim.
Përvoja e tij akademike, veprimtaria publike dhe vizioni për shtetin e bëjnë një kandidat të denjë për President të Republikës së Kosovës.
#KandidatKonsesual
