Italia dhe Franca në alarm, mijëra forca policore mobilizohen për protesta
Protesta masive kundër rritjes së kostos së jetesës pritet të mbahen të shtunën, më 24 tetor, në Itali dhe Francë.
Autoritetet dhe pronarët e bizneseve druhen se mund të përsëriten incidentet e dhunshme të 17 dhe 18 tetorit, kur protestuesit sulmuan dyqane dhe u përleshën me forcat e rendit.
Në Itali, demonstrata janë paralajmëruar në disa qytete të mëdha, përfshirë Milanon, Bolonjën, Xhenovën, Torinon, Romën dhe Firencen.
Sipas faqes Mappa della rivolta, janë planifikuar mbi 30 aktivitete protestuese, nga marshimet dhe tubimet deri te grevat.
Në Romë, rreth 1.500 efektivë policie do të angazhohen për të garantuar rendin publik. Për monitorimin e protestave do të përdoren gjithashtu dronë dhe mjete ajrore të Karabinierëve, ndërsa kontrollet do të shtrihen nga sheshet kryesore deri te stacionet hekurudhore.
Qendra e Sigurisë Kibernetike do të monitorojë aktivitetet në rrjetet sociale, ku në Telegram, TikTok dhe Instagram po qarkullojnë udhëzime për përgatitjen e protestuesve për përplasje të mundshme me policinë.
Në Milano, në terren pritet të dalin rreth 1.000 policë dhe karabinierë, 300 efektivë të policisë bashkiake dhe 500 ushtarë. Edhe atje do të përdoren dronë për mbikëqyrjen e tubimeve.
Disa demonstrata do të zhvillohen larg katedrales së Duomos, ndërsa protestat janë ndaluar në zonat Garibaldi dhe Porta Venezia.
Në Torino, një marshim pritet të nisë në orën 14:00 nga sheshi Arbarello, me pjesëmarrjen e aktivistëve, studentëve dhe anëtarëve të lëvizjeve protestuese.
Ndërkohë, pas trazirave të 17 tetorit, të premten policia italiane zhvilloi kontrolle ndaj rreth 100 personave, mes tyre 51 të mitur. Operacionet u kryen në disa qytete, përfshirë Barin, Bergamon, Firencen, Xhenovën dhe Veronën.
Autoritetet po shtojnë masat e sigurisë, ndërsa bizneset dhe qytetarët presin me shqetësim zhvillimet e protestave të së shtunës.
