Portimi nuk aplikohet as për “D3 Mobile”
Operatori virtual “ D3 Mobile “, i cili funksionon në kuadër të IPKO-s, nuk është përfshirë në sistemin e portimit (bartshmërisë) së numrave telefonikë në Kosovë, gjë që po i pengon përdoruesit të transferojnë numrat e tyre tek operatorët e tjerë mobilë pa ndryshuar numrin. As e kundërta nuk mund të bëhet, abonentët e operatorëve tjerë, nuk mund të kalojnë tek “D3-Mobile”, shkruan “Buletini Ekonomik”. Këtë ja ka konfirmuar “Buletinit” Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) pas ankesave të shumta të abonentëve.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar njërit prej përdoruesve që u ankua, ARKEP-i theksoi: “Në rrethanat aktuale, bartja e numrave nga D3 Mobile drejt operatorëve të tjerë mobilë, si dhe bartja e numrave nga operatorët e tjerë mobilë drejt D3 Mobile, nuk mund të realizohet”. Edhe pse “D3 Mobile” operon në infrastrukturën e IPKO-s dhe është operator i licencuar me burime numerike të alokuara prej 300,000 numrash, ai nuk është i integruar në sistemin e bartshmërisë, shkruan “Buletini”.
Sipas faqes së ARKEP, numrat e ndarë për “D3-Mobile” janë 043 200 000 – 043 499 999. Prapa operatorit “D3 Mobile”, sipas faqes së ARKEP, qëndron “Dukagjini Telecommunications SH.P.K.”, një kompani në pronësi të Ekrem Llukës, pronarit të kompanive të grupit “Dukagjini”. KosovaNews merr vesh se numrat e “D3-Mobile” përdoren shumë nga arkat fiskale. Kompania “Dukagjini Telecommunications” ShPK (pjesë e Dukagjini Group), u inkorporua në janar të vitit 2008, kurse u liçencua më 24 qershor 2008 nga ART – i cili më vonë u riemërua në ARKEP. “D3 Mobile” operon në kuadër të rrjetit të operatorit IPKO, siç kishte operuar “Z-mobile” në kuadër të Vala-s.
Dje, duke u thirrur në “Buletini Ekonomik”, KosovaNews transmetoj se portimi nuk aplikohet as për abonentët e “mts DOO’, për arsye të specifikave mbi të cilat ky operator me pronësi shtetërore serbe ka hyrë e operon në tregun e Kosovës.
Bartshmëria e numrave telefonikë në Kosovë filloj në fillim të tetorit të këtij viti. Sipas të dhënave të ARKEP-it, shërbimi aktualisht zbatohet vetëm ndërmjet dy operatorëve kryesorë: Vala (Telekomi publik i Kosovës) e IPKO. “D3 Mobile”, si operator virtual (MVNO), kishte qenë kontaktuar nga autoriteti (ARKEP) për përfshirjen në sistem, por në atë kohë nuk kishte shprehur interesim dhe nuk ishte gati teknikisht, vazhdon “Buletini”.
