Iraku nxjerr në shitje dy avionë Boeing 747, njëri prej tyre përdorej nga Saddam Husseini
Autoritetet irakiane kanë njoftuar shitjen e dy avionëve “Boeing 747”, të cilët që nga viti 1991 ndodhen në aeroportin “Tozeur-Nefta” në Tunizi. Njërin prej këtyre avionëve dikur e kishte përdorur ish-presidenti i Irakut, Saddam Hussein, përcjell TV21. Të dy avionët ofrohen për një çmim të përgjithshëm prej 1,8 milionë dollarësh.
Avioni “Boeing 747-SP”, me emrin “Al-Qadisiyah”, është prodhuar në vitin 1982 dhe ishte pajisur si avion qeveritar, me sallë konferencash dhe sallon luksoz. Edhe pse kompania “Iraqi Airways” nuk konfirmon zyrtarisht se Husseini e ka përdorur personalisht këtë avion, pajisjet luksoze dhe fotografitë arkivore të realizuara në Londër në vitin 1983 dhe në Moskë në vitin 1986 dëshmojnë se ai ka qenë në përdorimin e tij.
Avionët u zhvendosën nga Iraku në Tunizi në janar të vitit 1991, për t’i mbrojtur para fillimit të Luftës së Dytë të Gjirit. Megjithatë, për shkak të sanksioneve, mosmarrëveshjeve financiare dhe kostove të akumuluara të parkimit, ata nuk u kthyen kurrë në Bagdad, raporton portali “Aerotelegraf”.
Avioni i dytë është modeli “Boeing 747-200”, i kombinuar për transportin e udhëtarëve dhe mallrave, me kapacitet për 330 pasagjerë.Të dy avionët shiten në gjendjen aktuale, pa garanci, ndërsa blerësi duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet e transportit, doganës dhe taksave. Ofertuesit e interesuar duhet të paguajnë një depozitë prej 180 mijë dollarësh për secilin avion.
Një komision pranë Ambasadës së Irakut në Tunizi do t’i shqyrtojë ofertat nga 21 dhjetori deri më 5 janar, ndërsa shitja pritet të përfundojë deri më 7 janar 2027.
Përpjekjet e mëparshme për shitjen e avionëve kishin dështuar, përfshirë edhe tenderin e vitit 2023, kur Iraku kërkonte 494 mijë dollarë për secilin avion.
Saddam Husseini udhëhoqi Irakun nga viti 1979 deri në vitin 2003, kur u rrëzua nga pushteti gjatë pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja. Ai u ekzekutua në Bagdad më 30 dhjetor 2006, pasi një gjykatë irakiane e dënoi me vdekje për vrasjen e 148 shiitëve në qytetin Duxhail.
