Infermierët shqiptarë në Zvicër kërkojnë forcimin e bashkëpunimit me Kosovën, takohen me presidenten dhe ministrin Vitia
Përfaqësuesit e Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër (LISZ) kanë marrë pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore në Kosovë, ku kanë zhvilluar takime me përfaqësues të lartë institucionalë dhe kanë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit profesional ndërmjet dy vendeve.
Konferenca, e organizuar nën moton “Investojmë në cilësi – Ndërtojmë besim”, mblodhi përfaqësues institucionesh dhe profesionistë të shëndetësisë, me synimin e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.
Një nga momentet e rëndësishme të konferencës ishte fjalimi i ambasadores së Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit për mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e një shteti.
Ajo vuri në pah edhe rolin e diasporës në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke përmendur takimin me tre përfaqësues të diasporës zvicerane që kishin ardhur në Kosovë për të zhvilluar bashkëpunime.
Bëhet fjalë për përfaqësuesit e kryesisë së LISZ-së: Yllka Zuzaku-Mustafa, presidente e organizatës, Ilir Hoti, nënkryetar dhe udhëheqës i Strategjisë dhe Bashkëpunimeve, si dhe Xheneta Zuzaku, udhëheqëse e Arsimit dhe Zhvillimit Profesional.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni zhvilloi takime me presidenten Justina Shiroka Pula, zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sipas njoftimit të organizatës, ministri Vitia i ka ftuar përfaqësuesit e LISZ-së që diskutimet për mundësitë e bashkëpunimit t'i vazhdojnë në një takim zyrtar.
Përfaqësuesit e infermierëve shqiptarë në Zvicër janë pritur edhe nga kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, e cila ka shprehur mbështetjen për zhvillimin e bashkëpunimit profesional. Ata kanë zhvilluar bisedime edhe me Fetije Huruglica, ish-shefe e Divizionit të Infermierisë në Ministrinë e Shëndetësisë, për zhvillimin e profesionit dhe sfidat e tij.
Gjatë vizitës, delegacioni është shoqëruar nga Lulzim Gashi, udhëheqës i Divizionit për Infermieri në SHSKUK, ndërsa ka shprehur mirënjohje edhe për Bardh Ahmetin, shef i kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, për ftesën dhe mbështetjen në realizimin e takimeve institucionale.
Pjesëmarrja e LISZ-së në këtë konferencë është pjesë e angazhimit vullnetar të organizatës për të afruar profesionistët shqiptarë të shëndetësisë që punojnë në Zvicër me institucionet shëndetësore në Kosovë.
Përmes shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave profesionale, organizata synon që ekspertiza e fituar në sistemin shëndetësor zviceran të kontribuojë në zhvillimin e infermierisë dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në Kosovë.
