TË FUNDIT

IHDNj kërkon shpëtimin e menjëhershëm të minatorëve në Trepçë dhe nisjen e hetimeve

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka shprehur shqetësim lidhur me situatën në minierën e Stantërgut, ku sipas tij 64 minatorë kanë mbetur të ngujuar nën tokë.

Në një reagim të publikuar lidhur me rastin, IHDNj ka kërkuar nga institucionet dhe ekipet përgjegjëse që të angazhohen maksimalisht për shpëtimin dhe nxjerrjen e sigurt të minatorëve.

Sipas institutit, minatorët ndodhen të shpërndarë në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, në thellësi që arrijnë deri në rreth 645 metra.

“Jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë prioriteti absolut. Çdo minutë është e rëndësishme dhe operacioni i shpëtimit duhet të zhvillohet me urgjencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë”, thuhet në reagimin e IHDNj-së.

Instituti ka bërë të ditur se, sipas informacioneve të deritanishme, dalja e minatorëve po realizohet përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet përkatëse po punojnë për mundësimin e nxjerrjes së sigurt të tyre.

Përveç operacionit të shpëtimit, IHDNj ka kërkuar edhe sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit, përfshirë shkaqet dhe funksionimin e mekanizmave, pajisjeve dhe procedurave të sigurisë.

Në këtë drejtim, instituti i ka bërë thirrje Prokurorisë kompetente që të nisë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme.

“Hetimi duhet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë, neglizhencë institucionale, mosfunksionim të pajisjeve apo përgjegjësi të tjera individuale dhe institucionale”, thuhet në reagim.

IHDNj ka theksuar se përgjegjësit, nëse konstatohen, duhet të mbajnë përgjegjësi në përputhje me ligjin.

Instituti ka rikujtuar edhe një hulumtim të mëhershëm të tij, të titulluar “Punëtorët e padukshëm të Nëntokës”, përmes të cilit, sipas tij, janë dokumentuar kushtet e vështira të punës dhe rreziqet profesionale me të cilat përballen minatorët.

Sipas IHDNj-së, minatorët përballen gjatë punës me ekspozim ndaj pluhurit, gazrave, ngarkesave të rënda fizike dhe rreziqeve të tjera që mund të kenë pasoja për shëndetin dhe sigurinë e tyre.

“Siguria e minatorëve nuk mund të bëhet temë vetëm kur ndodh një incident. Ajo duhet të garantohet çdo ditë, në çdo ndërrim dhe në çdo metër nën tokë”, thuhet më tej në reagim.

IHDNj ka kërkuar që, pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, të bëhet një vlerësim i plotë i gjendjes së minierës, pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe procedurave të sigurisë.

Instituti ka kërkuar gjithashtu transparencë të plotë dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme./Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *