Hoti: Opozita po manipulon me çështjen e protezave për invalidët e luftës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, ka akuzuar opozitën për manipulim politik me çështjen e protezave për invalidët e luftës, duke thënë se kjo temë po përdoret për të fituar poenë politikë.
Në një postim të publikuar në profilin e tij në Facebook, Hoti ka theksuar se Qeveria e ka zgjidhur këtë çështje në vitin 2024, për herë të parë që nga përfundimi i luftës.
Sipas tij, bazuar në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë, që nga ajo kohë asnjë invalid i luftës që ka aplikuar nuk ka mbetur pa mbështetje financiare, e cila mbulon 100 për qind të kostos së nevojshme.
Hoti ka sqaruar gjithashtu se, sipas ministrit të Financave, buxheti për këtë kategori menaxhohet në kuadër të strukturës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe se ka mjete të mjaftueshme për të gjithë ata që aplikojnë për mbështetje.
“Pra, nuk ka mungesë të mbështetjes, nuk ka mungesë të mjeteve financiare. Ka opozitë të çoroditur, e cila vazhdon përpjekjet për manipulim dhe keqpërdorim kudo dhe me këdo që mundet, duke mos kursyer as temat që kanë ndjeshmëri kaq të madhe”, ka shkruar Hoti.
Ai e ka cilësuar qasjen e opozitës si “opozitarizëm të paskrupullt”, duke e akuzuar atë se po e shfrytëzon çështjen e luftës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfitime politike.
