Haxhiu priti në takim drejtoreshën e NDI-së në Kosovë, flasin për barazinë gjinore
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg.
Sipas njoftimit për media u diskutua për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit, për mbështetjen që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar, si dhe për avancimin e një agjende ligjvënëse që merr parasysh nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave në mënyrë të barabartë.
‘’Duke falënderuar znj. Soderberg për përkushtimin e saj personal dhe për mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka dhënë Kuvendit ndër vite, Kryeparlamentarja Haxhiu tha se i gëzohet vazhdimit të këtij bashkëpunimi, me bindjen se institucionet e Kosovës bëhen më të forta kur përfitojnë nga dija, përvoja dhe partneritetet e qëndrueshme’’, thuhet në njoftim.
“Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, tha Albulena Haxhiu
