TË FUNDIT

Pas dënimit të Egzon Shallkit për vrasjen e Auron Ferizit, dy persona shoqërohen në polici për kanosje

Dy persona janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gjilan dhe janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në një rast kanosjeje, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Egzon Shallkit, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Sipas Osmanit, rasti është regjistruar më 20 tetor 2026, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Gjilan për rastin e vrasjes së rëndë.

“Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj të akuzuarit nga Gjykata Themelore në Gjilan lidhur me një rast të vrasjes së rëndë, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me një rast të dyshuar të kanosjes. Si rezultat, dy persona janë shoqëruar nga zyrtarët policorë në Stacionin Policor në Gjilan”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka bërë të ditur se të dyshuarit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti do të procedohet në procedurë të rregullt gjyqësore.

Ndërkohë, hetimet do të vazhdojnë nga hetuesit policorë të Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Egzon Shallki është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *