TË FUNDIT

Haxhiu nga Onkologjia: Gratë të mos e shtyjnë kontrollin për nesër

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për media të mbajtur në Klinikën e Onkologjisë, ka bërë thirrje që gratë të kryejnë me kohë kontrollet mjekësore dhe të mos e shtyjnë mamografinë.

Haxhiu theksoi se mamografia është falas dhe u bëri thirrje grave që të kryejnë kontrollet sa më shpejt.

“Prandaj i bëj thirrje edhe sot çdo gruaje që kontrollin mos ta shtyjë për nesër. Pra, që menjëherë të bëjnë kontrollet. Mamografia është falas. Ne po ashtu kërkojmë nga familjet e personave që preken nga kanceri i gjirit që t’i mbështesin ata, sepse shëndeti i tyre është shumë i rëndësishëm”, tha Haxhiu.

Ajo ka shprehur mirënjohje për Klinikën e Onkologjisë, drejtuesit dhe gjithë stafin shëndetësor për punën dhe përkushtimin ndaj pacientëve që përballen me sëmundje të rënda.

“Unë sot dua që të falënderoj Klinikën e Onkologjisë, meqë është drejtori dhe gjithë stafi, mjekët, infermierët dhe gjithë të tjerët që po qëndrojnë pranë pacientëve në momentet e vështira të jetës së tyre”, u shpreh ajo.

Haxhiu ka përcjellë urime për shëndet dhe jetë të gjatë për gratë që po përballen me kancerin e gjirit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes nga institucionet dhe shoqëria.

“Grave që përballen me këtë sëmundje u uroj shëndet të plotë dhe jetë të gjatë dhe u them atyre: forcë. Institucionet, shoqëria janë me to në këto momente shumë të vështira. Ne i takuam ato, do të kemi mundësi që edhe pas kësaj konference të takohemi me to, por është e jashtëzakonshme forca e tyre dhe energjia që ato përçojnë tek ne”, tha Haxhiu.

Mesazhi i saj vjen në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *