Haxhi-Vasileva zëvendëson Abazin në krye të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar
Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva është zgjedhur si drejtuese e re e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi fitoi më shumë vota në zgjedhjet mes prokurorëve publikë.
Në garën zgjedhore për këtë funksion morën pjesë edhe prokurorët Faton Azizi, Trajçe Pelivanov dhe Jovan Cvetanovski si dhe Lidija Raiçeviq.
Votimi u mbajt nga ora 08:00 deri në orën 16:00, ndërsa rezultatet duhet të përmblidhen në një seancë publike. Zgjedhja zbatohet për shkak të skadimit të mandatit të drejtuesit deritanishëm, Islam Abazi, i cili u zgjodh në vitin 2022 dhe nuk kandidoi për një mandat të ri.
Kandidatët dhe votuesit kanë të drejtë ankese në lidhje me procesin zgjedhor.
Të drejtë vote kishin gjithsej 187 prokurorë publikë nga e gjithë vendi, të cilët përmes votimit të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë zgjodhën mes pesë kandidatëve.
Sipas informacioneve nga prokuroria, Haxhi Vasilevska ka marrë 64 vota, ndërsa Trajçe Pelivanov ka fituar 57 vota. Në vendin e tretë është Jove Cvetanovski me 30 vota, i ndjekur nga Faton Azizi me 14, ndërsa Lidija Raiçeviq ka marrë gjashtë vota.
Në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, në zgjedhjet për drejtues të kësaj prokurorie votojnë të gjithë prokurorët publikë në vend.(INA)
