I dënuar për tre vrasje, arrestohet pas 25 vitesh autori – pritet ekstradimi nga SHBA
Arrestohet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 52-vjeçari shqiptar Valentin Ftoni, i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi u bë i mundur pas një pune të gjatë hetimore dhe bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe tri agjencive federale amerikane: DSS/OCIU, Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së (USMS) dhe Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe disa identitete të rreme për të hyrë dhe qëndruar në territorin amerikan.
Dy dënime me nga 25 vite burgim
Më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e dënoi Valentin Ftonin me 25 vite burgim për vrasjen me paramendim të Gjelosh dhe Ardiana Markaj. Ngjarja kishte ndodhur më 19 shtator 2000, në Ças, Velipojë, për motive gjakmarrjeje.
Ndërsa më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e dënoi sërish me 25 vite burgim për vrasjen e Gac Toma, të kryer më 12 gusht 2001.
Përveç veprave penale të vrasjes me paramendim, ndaj tij janë dhënë vendime dënimi edhe për veprën penale të mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Pritet ekstradimi drejt Shqipërisë
Policia e Shtetit thotë vijon koordinimi me autoritetet amerikane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 52-vjeçarit drejt Shqipërisë, me qëllim vuajtjen e dënimeve të dhëna nga drejtësia shqiptare.
Autoritetet vlerësuan bashkëpunimin me Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri dhe agjencitë ligjzbatuese amerikane, duke e cilësuar këtë operacion si rezultat të koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër kriminalitetit./abcnews/
