Hakeri famëkeq: Kriptovalutat e vjedhura janë si “patate e nxehtë” që duhet kaluar shpejt te dikush tjetër
Hakeri Ilya Lichtenstein, i dënuar për përfshirjen në një skemë të pastrimit të rreth 4.5 miliardë dollarëve të lidhur me sulmin ndaj platformës së kriptovalutave Bitfinex në vitin 2016, ka paralajmëruar se pjesa më e vështirë për sulmuesit kibernetikë nuk është vjedhja e kriptovalutave, por fshehja e gjurmëve dhe shndërrimi i tyre në para që mund të përdoren.
Deklaratat e tij vijnë pas sulmit të fundit ndaj Binance, platformës më të madhe në botë për shkëmbimin e kriptovalutave, nga sistemet e së cilës u vodhën më shumë se 6 miliardë dollarë. Sipas të dhënave të bëra publike, sulmi dyshohet se u krye nga hakerë të Koresë së Veriut, të cilët arritën të zbraznin llogaritë brenda pak minutash.
Lichtenstein, i cili në vitin 2023 pranoi fajësinë së bashku me bashkëshorten e tij, Heather Morgan, për një skemë të pastrimit të parave të lidhur me vjedhjen e vitit 2016, u dënua më 2024 me pesë vjet burg. Ai u lirua para kohe në janar të këtij viti dhe tani thotë se ka kaluar në anën tjetër, duke punuar si haker etik për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve kibernetike.
Në një intervistë për CNN, ai tha se mënyra e sulmit ndaj Binance përputhet me praktikat e zakonshme të hakerëve koreano-veriorë, të cilët shpesh synojnë hallkën më të dobët të sigurisë, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, sulmuesit nuk kanë nevojë të depërtojnë drejtpërdrejt në faqen kryesore të një platforme të mbrojtur mirë. Ata mund të shfrytëzojnë një punonjës që bie pre e një sulmi phishing dhe bindet të shkarkojë një program keqdashës.
Lichtenstein theksoi se kompanitë duhet të mbrojnë të gjitha pikat e mundshme të hyrjes në sistemet e tyre, e jo vetëm pjesën kryesore të infrastrukturës.
Sa i përket gjurmimit të parave të vjedhura, ai tha se autoritetet duhet të veprojnë sa më shpejt, pasi orët e para pas një sulmi janë vendimtare. Sipas tij, kriminelët i ndajnë fondet në shuma gjithnjë e më të vogla, i transferojnë në llogari të ndryshme dhe përpiqen të ngatërrojnë gjurmët, ndërsa inteligjenca artificiale po ua mundëson ta bëjnë këtë me shpejtësi shumë të madhe.
Ai shpjegoi se kriptovalutat e vjedhura nuk janë aq të lehta për t'u përdorur, pasi transaksionet në blockchain janë publike dhe mund të analizohen nga ekspertët. Për më tepër, disa platforma, si Tether, kanë mundësi të ngrijnë fondet.
“Është si të mbash një patate të nxehtë”, tha Lichtenstein, duke iu referuar vështirësisë së përdorimit të parave të vjedhura. Sipas tij, hakerët duhet të përpiqen t'i kthejnë ato në para legjitime ose t'i përziejnë me fonde të tjera, përpara se autoritetet apo platformat t'i bllokojnë.
Ai vlerësoi se pastrimi i parave është pjesa më e vështirë e një sulmi të tillë, pasi vëmendja ndaj kriptovalutave të vjedhura është shumë e madhe dhe fondet duhet të lëvizin shpejt për të shmangur gjurmimin.
Duke folur për përvojën e tij me më shumë se 100 mijë bitcoinët e vjedhur nga Bitfinex, Lichtenstein tregoi se kishte përdorur llogari në disa platforma të kriptovalutave, disa me identitetin e tij dhe të tjera me identitete të rreme ose persona ndërmjetës. Ai i kishte ndarë shumat në depozita më të vogla dhe i kishte konvertuar në kriptovaluta të tjera, një proces i njohur si “chain hopping”.
Kjo metodë synon të vështirësojë gjurmimin e fondeve duke i kaluar ato nga një blockchain në tjetrin. Ai shtoi se ndarja e parave në shuma të vogla dhe përdorimi i platformave e identiteteve të ndryshme mund ta bëjnë më të vështirë zbulimin e transaksioneve të dyshimta.
Megjithatë, Lichtenstein paralajmëroi se inteligjenca artificiale po e ndryshon ndjeshëm këtë fushë, pasi shumë nga këto procese mund të automatizohen dhe të kryhen me shpejtësi të jashtëzakonshme.
Ai e përshkroi mbajtjen e miliarda dollarëve në kriptovaluta të vjedhura si një përvojë tmerruese dhe tha se krimi nuk ia vlen, pavarësisht përfitimeve të mundshme. Sipas tij, transaksionet e regjistruara në blockchain mbeten aty përgjithmonë dhe teknologjitë e reja mundësojnë gjurmimin e tyre edhe shumë vite më vonë.
Në fund, ai paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të përbëjë kërcënim serioz për sigurinë e kriptovalutave. Sipas tij, modelet më të avancuara të zhvilluara nga kompani si OpenAI dhe Anthropic kanë fituar aftësi të konsiderueshme për sulme kibernetike, ndonëse mbrohen me masa të rrepta sigurie.
Lichtenstein tha se modelet me burim të hapur, përfshirë ato që zhvillohen në Kinë, mund të arrijnë brenda disa muajsh aftësi të ngjashme.
Kjo, sipas tij, do të mund ta bëjë teknologjinë e avancuar të hakerimit të qasshme jo vetëm për grupet e organizuara apo aktorët shtetërorë, por edhe për individë pa përvojë të madhe, duke rritur rrezikun e sulmeve kibernetike. /Telegrafi/
