Grupi muzikor hebraik që përmes partiturave nxori sekrete nga Bashkimi Sovjetik
Një libër i ri rrëfen historinë heroike të katër muzikantëve që udhëtuan nëpër BRSS për t’i ndihmuar hebrenjtë disidentë të tregonin historitë e veta – dhe ndonjëherë të arratiseshin.
Nga: Ivan Hewett / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Përfytyrojeni këtë si skenarin e një trileri. Katër muzikantë të folklorit me ndërgjegje sociale vendosin të ndërmarrin një mision të guximshëm humanitar. Do ta vizitojnë një vend të njohur për represionin e tij mizor dhe do të rrezikojnë arrestimin dhe burgosjen duke u takuar fshehurazi me individë të përndjekur, për të nxjerrë jashtë vendit informacione jetike për ta, të maskuara si nota muzikore.
Duket tepër e pabesueshme edhe për një film. Megjithatë, ndodhi vërtet. Dyzet vjet më parë, në vitin 1985 kur Lufta e Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik ishte ende e akullt dhe askush nuk dyshonte se sistemi sovjetik do të shembej brenda katër vjetësh, një kuartet muzikantësh hebrenj nga Amerika e vizitoi Bashkimin Sovjetik. Synimi i tyre ishte të ndihmonin disa nga miliona hebrenjtë që dëshironin të largoheshin, por të cilëve po u mohoheshin vizat e nevojshme të daljes. Një nga katërshja ishte Merryl Goldberg, e cila në mesin e viteve ‘80 të shekullit XX ishte studente e zellshme e saksofonit dhe e apasionuar pas një forme të muzikës popullore hebraike të quajtur klezmer.
Tani ajo është bashkautore e librit Notes of Deception [ Notat e mashtrimit ], që përshkruan ato pak ditë të jashtëzakonshme kur ajo dhe muzikantët e tjerë sfiduan fuqinë e Bashkimit Sovjetik. Përse pritën kaq gjatë? Vince Houghton, drejtor i Muzeut Kombëtar Kriptologjik të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe bashkautor i librit, thotë se ishte një ndërthurje e maturisë dhe modestisë. “Mendoj se Merryl dhe tre muzikantët e tjerë ishin aq modestë, saqë nuk e kuptuan se sa e jashtëzakonshme ishte historia e tyre. Gjithashtu, në fillim e mbajtën të fshehtë, sepse nuk donin të tërhiqnin vëmendjen ndaj metodës së kodimit në rast se në të ardhmen mund të ndihmoheshin më shumë njerëz brenda Bashkimit Sovjetik”.
Kolazh i trupës “Klezmer Conservatory Quartet” Përgatitur nga Goldberg
Në fillim të viteve ’80 të shekullit XX, Goldbergu, sot një profesoreshë energjike e muzikës në të 60-at në një universitet në Kaliforninë Jugore, studionte saksofonin në Konservatorin e Anglisë së Re në Boston. Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u rekrutua në grupin Klezmer Conservatory Quartet [ Kuarteti i Konservatorit të Muzikës Klezmer ], i cili shpejt fitoi reputacion kombëtar duke u paraqitur në emisione të njohura radiofonike dhe duke regjistruar dy CD. Ajo ishte gjithashtu aktive në aspektin politik. “Vij nga një familje që ishte thellësisht e angazhuar në mbrojtjen e lloj-lloj kauzave”, më thotë ajo. “Nëna ime themeloi një degë të Ligës së Grave Votuese [League of Women Voters], e cila i nxit gratë të regjistrohen për të votuar. Gjyshja ime ishte presidente e Dorës së Ndihmës Hebraike [Hebrew Helping Hand], e cila ndihmon emigrantët hebrenj. Vij nga një varg emigrantësh nga Evropa Lindore dhe lëvizja për hebrenjtë sovjetikë ishte mjaft e njohur për të gjithë ne”.
Ajo lëvizje kishte përpara një detyrë kolosale. Gjatë epokës cariste, hebrenjtë u përndoqën mizorisht duke u kufizuar në zona të caktuara, duke u përjashtuar nga shumë të drejta dhe duke u masakruar shpeshherë në “pogrome”. Gjatë epokës komuniste, përndjekja vazhdoi. Pas vdekjes së Stalinit dukej se kishte nisur një zbutje, por në vitet ‘70 të shekullit XX përndjekja e hebrenjve filloi sërish me intensitet të plotë.
Si reagim, shumë hebrenj aplikuan për vizë daljeje për t’u larguar nga Bashkimi Sovjetik, por regjimi pothuajse gjithmonë ua refuzonte – duke krijuar kështu një shtresë të madhe hebrenjsh të pakënaqur të cilët, në fakt, ishin të burgosur. Ata u bënë të njohur si “refuzenikë”.
Një shembull i partiturës së koduar, ku “Moderato” përdoret si kod për “Moskë”
Ajo që u nevojitej këtyre njerëzve ishte mbështetja nga Perëndimi. Vetëm që të dinin se dikush kujdesej për ta, kjo ishte në vetvete gjë e paçmuar, por organizatat e tilla si Lëvizja për Hebrenjtë Sovjetikë [Soviet Jewry Movement] mund të bënin më shumë. Anëtarët e tyre mund të “binjakëzoheshin” me një disident ose hebre duke i shkruar dhe duke i dërguar ilaçe e libra shumë të nevojshëm. Mund të shtireshin si pjesëtar i familjes, i cili më pas mund ta ftonte “refuzenikun” t’i bashkohej në vendin e tij – gjë që ndonjëherë funksiononte. Por, e gjithë kjo kërkonte disa të dhëna bazë, të cilat shpesh mungonin. Cilët ishin refuzenikët, për shembull, në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi? Ku jetonin, cila ishte gjendja e tyre?
Klezmer Conservatory Quartet -it iu propozua të ndërmerrte një turne në pesë qytete të Bashkimit Sovjetik për të mbledhur informacione rreth këtyre njerëzve të padukshëm dhe të heshtur. Ata do të udhëtonin si turistë, por do të merrnin me vete instrumentet në mënyrë që të mund të përziheshin “lirshëm” me grupe vendase muzikore, për të cilat dihej se strehonin disidentë, si dhe të merrnin me vete ilaçe shumë të nevojshme për të cilat do të thoshin se ishin për përdorim personal. Tbilisi do të ishte ndalesa e parë e turneut, ku ekzistonte një orkestër e tërë popullore e quajtur Phantom Orchestra [ Orkestra Fantazmë ] e përbërë prej refuzenikëve dhe disidentëve (kundërshtarë të hapur të regjimit sovjetik) që nuk ishin hebrenj, përfshirë dy vëllezër katolikë.
Por, si do të nxirreshin fshehurazi informacionet nën hundën e oficerëve të KGB-së, të cilët me siguri do të konfiskonin gjithçka që do ta konsideronin të dyshimtë? Përgjigjja ishte: emrat, adresat, numrat e telefonit dhe informacionet e tjera të shndërroheshin në nota muzikore, përmes një kodi sekret. Goldbergu pranon se ai nuk ishte kompleks. “Gjëja e rëndësishme ishte se thjesht dukej si muzikë, megjithëse kushdo që dinte të lexonte nota do ta shihte se ishte disi e çuditshme. Tingëllon si një [Arnold] Schoenberg i keq".
Prerje gazetash që pasqyrojnë dëbimin e muzikantëve nga Bashkimi Sovjetik
Vince Houghton, ekspertiza e të cilit në historinë e spiunazhit e bëri bashkautor ideal të librit, thotë se kishte dy arsye pse kjo funksionoi. “Njëra është se, shpresonim, nuk do të kishte ndonjë oficer të KGB-së që do të ishte muzikant profesionist dhe që do të mund ta kuptonte se kjo ishte thjesht pa kuptim. Tjetra është se njerëzit që e përdornin ishin muzikantë. Kodi ishte në fakt një formë steganografie, që do të thotë diçka që fshihet në sy të të gjithëve, që askujt nuk do t’i shkonte mendja se ishte kod. Prandaj, nuk kishte nevojë të ishte kompleks. Pyeta një koleg kriptolog se sa kohë do t’i duhej për ta deshifruar dhe ai tha se mund ta bënte gjatë drekës”.
Kështu, të pajisur me instrumente, faqe për partitura, ilaçe dhe disa kontakte, katër muzikantët u nisën për në Moskë më 21 maj 1985. Ata e dinin se do të merreshin në pyetje dhe morën masa bazike paraprake. Supozuan se dhomat e tyre çuditërisht luksoze të hotelit do të ishin të përgjuara, ndaj informacionet e ndjeshme ia përcillnin njëri-tjetrit duke shkruar shënime të cilat më pas i digjnin. Ata ndiqeshin vazhdimisht prej agjentëve të KGB-së, njëri prej të cilëve, një burrë i zymtë me dobësi për muzikën kantri, të cilin e pagëzuan Kevin, me kalimin e kohës u bë mjaft miqësor me Goldbergun.
Ajo që nuk prisnin ishin marrjet e ashpra në pyetje, të cilat nisën sapo mbërritën në aeroportin e Moskës dhe zgjatën me orë të tëra. Megjithatë, atyre iu lejua të hynin në vend dhe shpejt vazhduan për në Tbilisi, ku kaluan orë të këndshme duke bërë muzikë me Phantom Orchestra , ndërkohë që siguruan informacione jetike për refuzenikët dhe disidentët.
Më pas fluturuan për në Jerevan, në Armeni, ku i nxorën me ngut nga aeroplani, i futën në makina dhe i çuan pa u thënë asnjë fjalë – në hotel, siç doli më pas, por synimi për t’i frikësuar ishte i pagabueshëm. Ata dhanë një koncert, u takuan me muzikantë vendas, por durimi i KGB-së kishte marrë fund. Të nesërmen u arrestuan, u akuzuan se kishin shpërfillur rregullat që rregullonin udhëtimet turistike dhe u nxorën me forcë nga vendi me një aeroplan për në Stokholm – ku gjetën një grup reporterësh që po i priste. Historia e tyre ishte bërë lajm në mbarë botën, gjë që i ndihmoi në përpjekjet e mëvonshme për të tërhequr vëmendjen e senatorëve dhe zyrtarëve të Departamentit të Shtetit.
Në apartamentin e familjes Goldstein: (rreshti i pasmë) Elizaveta Goldstein, Isai, Grigory, Merryl, Jeff dhe Hankus. (Përpara) Malka dhe Marina
Duke e kujtuar këtë, a shqetësohet Goldbergu se fakti që u panë me refuzenikët dhe disidentët mund t’ua ketë përkeqësuar në të vërtetë gjendjen? “Po, shqetësohesha se prania jonë mund t’i fuste në telashe edhe më të mëdha”, thotë ajo. “Por, gjëja e parë që na thanë, pasi ua shprehëm këtë frikë kur u takuam me ta, ishte: ‘Po, mund të na ndodhin gjëra të këqija. Por, prania juaj është kaq e rëndësishme për ne. Duam që bota të dijë për ne; kjo ndihmon që rezistenca jonë të mbetet gjallë’”. Dhe, në fund, për disa funksionoi. Një numër prej atyre refuzenikëve arritën vërtet në ShBA. Njëri prej tyre, të cilin Goldbergu e takoi si 11-vjeçar në Bashkimin Sovjetik, tani është profesor matematike në Kaliforni, më thotë Goldberg.
Për vetë Goldbergun, ato marrje të frikshme në pyetje, sidomos ajo e fundit që në të vërtetë ishte një ndalim 24-orësh, sollën një mësim të rëndësishëm. “Pas ndoshta një ore e gjysmë apo aty afër, mendova me vete: kaq ishte – do të na çojnë në Siberi ose në burg. Dhe, më pushtoi një ndjenjë e vërtetë paniku. Por, nuk zgjati shumë. Refuzenikët dinin për këtë dhe na kishin dhënë disa këshilla shumë të mira. Thanë, së pari, mbani mend se ka pasur njerëz që kanë qenë në pozitën tuaj para jush dhe kanë dalë prej saj. Së dyti, përdoreni muzikën për të ruajtur qetësinë. Së treti, mbani mend se jeni amerikanë. Ndoshta nuk do t’ju mbajnë përgjithmonë. Dhe, pata një çast përndritjeje dhe u qetësova shumë. Pastaj, brenda një dite, në të vërtetë na hipën në një aeroplan për në Suedi dhe dolëm prej andej”. Ajo dhe muzikantët e tjerë pa dyshim ndihmuan shumë njerëz, por për të personalisht kjo ishte gjithashtu një kalitje e paçmueshme në zjarr. /Telegrafi/
Kopertina e librit "Notes of Deception" [Notat e mashtrimit]
