Gjykata ndërkombëtare rrëzon kërkesën e Argjentinës për ndalimin e kërkimeve të naftës pranë Ishujve Falkland
Një gjykatë ndërkombëtare e mbështetur nga OKB-ja ka rrëzuar kërkesën e Argjentinës për ndalimin e një projekti të kërkimit të naftës pranë Ishujve Falkland, territor britanik përtej detit, sovranitetin e të cilit e pretendon edhe Buenos Airesi.
Qeveria argjentinase kishte kërkuar pezullimin e projektit Sea Lion, duke argumentuar se ekziston një mosmarrëveshje e pazgjidhur për sovranitetin e ishujve. Mbretëria e Bashkuar i ka hedhur vazhdimisht poshtë pretendimet e Argjentinës.
Të shtunën, presidenti i Tribunalit Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit deklaroi se kjo gjykatë nuk ishte kompetente për të vendosur mbi çështjet e sovranitetit territorial. Vendimi u miratua me 18 vota pro dhe tri kundër.
Pas vendimit, presidenti i Argjentinës, Javier Milei, tha se “ky vendim nuk është fjala e fundit”, duke përsëritur qëndrimin se “Ishujt Falkland janë argjentinas”, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, prokurorja e përgjithshme për Anglinë dhe Uellsin, Ellie Reeves, e cila paraqiti argumentet ligjore të Britanisë në Hamburg në fillim të këtij muaji, e cilësoi vendimin si “shumë të rëndësishëm” dhe si një fitore të qartë për qeverinë britanike.
Në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Jashtëm, Ed Miliband, Reeves i bëri thirrje Argjentinës që t’i japë fund presionit ekonomik ndaj ishujve. Ajo tha se Buenos Airesi kishte tentuar të pengonte banorët e Falklandeve të merrnin vendime sovrane, por nuk ia kishte dalë.
Rasti është përplasja e fundit diplomatike mes dy vendeve, të cilat zhvilluan një luftë 74-ditore për ishujt në vitin 1982.
Fusha e naftës Sea Lion, e vendosur rreth 209 kilometra nga Ishujt Falkland, vlerësohet të përmbajë 1.7 miliardë fuçi naftë.
Dy kompani, britanikja Rockhopper Exploration dhe izraelitja Navitas Petroleum, pritet të nisin nxjerrjen e naftës brenda dy vjetësh. Projekti mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme për rreth 3,500 banorët e ishujve.
Argjentina kishte argumentuar se mjedisi detar në zonat e kontestuara mbrohet nga e drejta ndërkombëtare dhe se, për sa kohë që ekziston mosmarrëveshja territoriale, nuk duhet të ndërmerren veprime që mund ta ndryshojnë situatën, përfshirë ndërtimin e puseve të naftës.
Nga ana tjetër, Britania kishte këmbëngulur se Tribunali për të Drejtën e Detit nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar çështjen. Sipas argumenteve britanike, pezullimi i projektit Sea Lion mund të kishte pasoja të mëdha ekonomike për banorët e ishujve dhe kompanitë e përfshira.
Në fund, vendimi i tribunalit u mbështet te kufijtë e kompetencave të tij: mosmarrëveshja lidhet me sovranitetin territorial dhe nuk mund të zgjidhet nga një gjykatë që merret me çështjet e së drejtës detare.
Buenos Airesi e kundërshtoi vendimin, duke deklaruar se nuk i kishte kërkuar gjykatës të vendoste për sovranitetin, por të zbatonte ligjet e Kombeve të Bashkuara për detin ndaj asaj që e cilësoi si shfrytëzim britanik të burimeve argjentinase.
Qeveria argjentinase njoftoi gjithashtu se pesë persona do të përballen me sanksione për përfshirjen e tyre në projektin e nxjerrjes së naftës, por nuk bëri të ditur identitetin e tyre.
“Mesazhi është i qartë: ata që marrin pjesë në shfrytëzimin e paligjshëm të burimeve tona do të përballen me pasoja”, thuhej në deklaratë.
Profesori Marc Weller, nga instituti kërkimor Chatham House, i tha BBC-së se sfida ligjore e Argjentinës kishte dështuar “që në pengesën e parë, të paktën përkohësisht, por në mënyrë spektakolare”.
Ai shtoi se bëhet fjalë për një vendim në fazën paraprake të çështjes, e cila mund të shqyrtohet më gjerësisht nga një tribunal arbitrazhi vitin e ardhshëm. Megjithatë, sipas tij, ky rezultat vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e pretendimeve argjentinase në procedurat e ardhshme.
Lufta e vitit 1982 nisi pasi forcat argjentinase zbarkuan në Ishujt Falkland për të marrë kontrollin e tyre, ndërsa Britania dërgoi një forcë ushtarake për t’i larguar. Konflikti zgjati rreth 10 javë dhe përfundoi me 255 ushtarakë britanikë, tre banorë të ishujve dhe 649 ushtarakë argjentinas të vrarë.
Pavarësisht humbjes, Argjentina ka vazhduar të pretendojë sovranitetin mbi ishujt, ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme kanë ndjekur politika të ndryshme diplomatike dhe presioni për të mbështetur këtë kërkesë.
Qeveria britanike, ndërkaq, këmbëngul se sovraniteti i takon Mbretërisë së Bashkuar dhe se banorët e ishujve kanë të drejtën e vetëvendosjes.
Në referendumin e vitit 2013, 99.8 për qind e votuesve në ishuj zgjodhën që Falklandet të mbeteshin territor britanik përtej detit. Vetëm tre persona votuan kundër. /Telegrafi/
