TË FUNDIT

Gjermania ndryshon rregullat për të huajt – njohje më e shpejtë e diplomave të mjekëve

Gjermania po përgatit ndryshime në procedurat për njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara jashtë vendit, me synimin për të përshpejtuar punësimin e specialistëve të huaj dhe për të reduktuar burokracinë, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë.

Reformat parashikojnë procedura më të unifikuara dhe digjitale për njohjen e diplomave të mjekëve, dentistëve, farmacistëve dhe mamive.

Një nga ndryshimet kryesore është që provimi i njohurive profesionale të bëhet procedura standarde për mjekët, dentistët dhe farmacistët që kanë përfunduar studimet në vende jashtë Bashkimit Evropian. Vlerësimi i ekuivalencës së diplomave përmes dokumentacionit do të mbetet si alternativë.

Kjo synon të shkurtojë kohën e nevojshme për shqyrtimin e aplikimeve dhe të lehtësojë punësimin e profesionistëve të kualifikuar, për të cilët Gjermania ka nevojë në sistemin shëndetësor.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu mundësinë që autoritetet e landeve gjermane të kontrollojnë njohuritë gjuhësore të aplikantëve nga vendet jashtë BE-së edhe para vlerësimit përfundimtar të kualifikimeve të tyre profesionale.

Një tjetër masë është digjitalizimi i shkëmbimit të dokumenteve ndërmjet institucioneve, në mënyrë që procedurat të zhvillohen më shpejt dhe të shmangen kërkesat e panevojshme administrative.

Për mamitë që kanë përfunduar studimet jashtë BE-së, do të jetë e mundur të zgjedhin nëse duan të kalojnë drejtpërdrejt në provimin e njohurive ose në një kurs përshtatjeje profesionale, pa iu nënshtruar paraprakisht vlerësimit të ekuivalencës së dokumenteve.

Sipas Ministrisë Federale të Shëndetësisë së Gjermanisë, reforma synon të lehtësojë integrimin e profesionistëve të huaj në tregun e punës, duke ruajtur njëkohësisht standardet e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe sigurisë së pacientëve.

Bundestagu e miratoi ligjin për përshpejtimin e njohjes së kualifikimeve profesionale në sektorin e shëndetësisë më 26 mars 2026.

Hyrja e tij në fuqi është planifikuar për 1 nëntor 2026, pas miratimit të nevojshëm nga Bundesrati.

Ndryshimet mund të jenë me rëndësi edhe për profesionistët nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë të punojnë në Gjermani.

Megjithatë, njohja e diplomës nuk nënkupton automatikisht të drejtën për të ushtruar profesionin: aplikantët duhet të plotësojnë edhe kërkesat për licencim, njohuri të gjuhës gjermane dhe kushtet e tjera përkatëse. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *