Gërvalla për largimet: Partia Guxo nuk u dëmtua aq sa ishte planifikuar
Bashkëkryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka folur për largimet nga kjo parti në zgjedhjet e 7 qershorit e madje dhe kandidimet e tyre në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Gërvalla në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka deklaruar se nuk mund të mohohet që partia Guxo është dëmtuar, por jo aq ka qenë e planifikuar.
Haxhi Avdyli, Albena Rashitaj e Jeta Statovci, ishin tre kandidatë për deputetë në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës por që para zgjedhjeve kanë qenë pjesë e Listës Guxo.
Ajo ka vlerësuar se në këto zgjedhje kanë dalë mirë sa i përket mbështetjes së qytetarëve.
“Gjithmonë kur ndodhin përplasje të tilla, kur një parti e caktuar vihet në fokus, gjithmonë në fund duhet bërë bilanci sa i madh ishte dëmi i shkaktuar dhe si do të vazhdojë kjo parti. Në rastin tonë nuk e mohoj që jemi dëmtuar por nuk jemi dëmtuar aq sa ka qenë plani për të na dëmtuar dhe nuk jemi zhdukur nga faqja e dheut e as nga skena politike ashtu siç shumë prej atyre që e kanë filluar këtë rrugë kanë llogaritur”, ka thënë Gërvalla.
Kandidatëve për deputetë të cilët në zgjedhjet e 7 qershorit janë rreshtuar krah Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gërvalla ka thënë se iu ka uruar suksese ndërsa për aktivistët që janë larguar, ajo e quajti si tregues që angazhimin e kanë pasur me dy mendje.
“Partia është çliruar nga disa njerëz që kanë qenë pjesë e saj. U pa që kishin qenë të përkohshëm. Unë për një periudhë 5-vjeçare nuk mund të ndërroj qëndrimin tim ndaj një partie politike. Po të flasim për Haxhi Avdylin ka qenë ndër më të zëshmit që kanë folur në superlativa. Në këtë rast kur them të përkohshëm, nuk po flas për deputetët, po flas për pjesë të aktivistëve tanë nëpër struktura të cilët siç duket vazhdimisht angazhimin e kanë pasur me dy mendje”, ka thënë Gërvalla.
Sa i përket mbështetjes së saj në këto zgjedhje, Gërvalla ka thënë se ka vota më shumë se te tre liderët e opozitës dhe se është afër ta kalojë me vota edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës në tërësi.
“Pozicioni im si kryetare e partisë Guxo në kuadër të koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje është forcuar përsëri me këto palë zgjedhje. Unë kam dalë më mirë se të gjithë liderët e opozitës. Kam dalë më mirë se kryetari i PDK-së, më mirë se numri një i LDK-së dhe domosdo më mirë se ai i AAK-së. Jam shumë afër të dalë më mirë edhe me numrin e përgjithshëm të LDK-së”, ka deklaruar Gërvalla.
Partia Guxo edhe në zgjedhjet e 7 qershorit ka garuar në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Ky koalicion mori 47.13% apo 53 ulëse.
Donika Gërvalla në këto zgjedhje, mori gati 132 mijë vota.
