POLITIKATË FUNDIT

18 vite padrejtësi, politikanët që premtuan dhe nuk e zgjidhen rastin ALFA!

Kanë kaluar plot 18 vite nga Rasti “Alfa”, një ndër rastet më të debatuara dhe më të kontestuara në historinë e gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut. Për 18 vite me radhë, familjet e Agim Islamit dhe të ndjerit Rexhail Qerimi kanë kërkuar të njëjtën gjë: rishqyrtim të rastit, shqyrtim të ekspertizave të reja dhe një përgjigje përfundimtare nga institucionet.

Sidomos në vitet e fundit, pas publikimit të intervistave, dokumenteve dhe ekspertizave të prezantuara nga Pa Censurë, një numër i konsiderueshëm politikanësh shqiptarë dolën publikisht në mbështetje të kërkesave për zbardhjen e rastit.

Më 18 janar të vitit 2022, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një deklarate publike tha:

“Drejtësia është vonuar, por e drejta do të vendoset.”

Kjo deklaratë u prit me shpresë nga familjarët dhe mbështetësit e të dënuarve, të cilët besuan se më në fund institucionet do të ndërmerrnin hapa konkretë për rishqyrtimin e procesit.

Në të njëjtën periudhë, ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi deklaroi publikisht:

“Kam bindjen dhe e them publikisht se Agim Islami nuk duhet të jetë aty ku është.”

Një deklaratë e fortë politike, e cila ngriti pritshmëri të mëdha se institucionet do të vepronin mbi dyshimet e ngritura rreth procesit.

Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, u shpreh se:

“Na takon të gjithëve të kontribuojmë që e vërteta të dalë në shesh.”

Ndërsa deputeti Rexhail Ismaili shkoi edhe më tej duke deklaruar se bëhet fjalë për:

“Një rast të montuar.”

Të gjitha këto deklarata u dhanë në periudhën kur BDI ishte pjesë e pushtetit, me ministra, zëvendëskryeministra, deputetë dhe funksionarë në institucionet kryesore të shtetit.

Megjithatë, sot, katër vite pas deklaratës së Ali Ahmetit dhe 18 vite pas ngjarjes së vitit 2008, bilanci mbetet i pandryshuar.

Rexhail Qerimi ndërroi jetë pa e parë ditën kur do të rishqyrtohej rasti për të cilin për vite me radhë deklaronte se ishte i pafajshëm.

Agim Islami vazhdon të qëndrojë në burg.

Familjet vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Ekspertizat e reja vazhdojnë të përmenden në opinion.

Ndërsa premtimet politike mbeten të shkruara në deklarata, intervista dhe postime publike.

Sot, pas 18 vitesh, pyetja nuk është më nëse politikanët folën për Rastin “Alfa”. Ata folën shumë. Deklaratat e tyre janë publike dhe të dokumentuara.

Pyetja është:

Çfarë u bë konkretisht për ta zbardhur rastin?

Pse nuk pati epilog institucional pas këtyre deklaratave?

Pse Rexhail Qerimi vdiq duke pritur drejtësinë që i ishte premtuar?

Dhe pse Agim Islami vazhdon ende ta presë atë?

Pas 18 vitesh, Rasti “Alfa” nuk është vetëm një çështje gjyqësore.

Ai është edhe një test i kujtesës politike.

Sepse deklaratat u dhanë.

Premtimet u bënë.

Por drejtësia që u premtua ende nuk ka mbërritur.

Dhe ndoshta pyetja më e madhe pas 18 vitesh nuk duhet t’u drejtohet vetëm institucioneve apo politikanëve. Duhet t’i drejtohet edhe shoqërisë. Si është e mundur që për një rast për të cilin për vite me radhë janë ngritur dyshime, janë dhënë deklarata politike dhe janë kërkuar rishqyrtime, pse nuk ka protesta te vazhdueshme?

Sepse sot, pas 18 vitesh, njëri prej të dënuarve nuk jeton më. Tjetri vazhdon të presë. Ndërsa pyetjet vazhdojnë të jenë më të shumta se përgjigjet./LAJM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *