Gashani garanton se Lojërat Mesdhetare 2030 do të mbahen në Kosovë
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka garantuar se Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, pavarësisht sfidave dhe shqetësimeve të ngritura rreth përgatitjeve për këtë ngjarje sportive.
Përmes një postimi në Facebook, Gashani ka reaguar pas publikimit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të një korrespondence të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke siguruar se përkushtimi i institucioneve për organizimin e tyre mbetet i palëkundur.
“Përkushtimi ynë për organizimin dhe realizimin me sukses të këtij eventi madhor sportiv mbetet i plotë dhe i palëkundur”.
“Vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”, ka deklaruar ministri në detyrë.
Gashani ka kritikuar edhe mënyrën se si Rama e ka bërë publike korrespondencën, duke e cilësuar si qasje problematike.
“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike”.
Sipas Gashanit, Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi historike për Kosovën dhe kërkojnë përgjegjësi të përbashkët institucionale.
“Lojërat Mesdhetare janë një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për sportin, për vendin tonë dhe për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Gashani ka përsëritur zotimin e tij se Kosova do të jetë nikoqire e kësaj ngjarjeje sportive në vitin 2030.
“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre. Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, ka përfunduar ministri në detyrë.
Shqetësimet për Lojërat Mesdhetare 2030 lidhen me gatishmërinë e infrastrukturës sportive, logjistikën dhe koordinimin institucional, por edhe me detyrimet financiare dhe administrative ndaj ICMG-së.
Në letrën e publikuar nga Përparim Rama përmenden mungesa e përgjigjeve ndaj një komunikimi të mëhershëm, garancia e sigurimit dhe një tarifë e papaguar, çështje që sipas ICMG-së mund ta rrezikojnë organizimin e ngjarjes. /Telegrafi/
