TË FUNDIT

Avokati i Popullit i kundërpërgjigjet Speciales: Që nga viti 2021 nuk u janë përgjigjur shqetësimeve tona

Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratën e Dhomave të Specializuara të Kosovës të 13 tetorit 2026, duke kundërshtuar interpretimin se përgjegjësia e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë e përjashton mandatin e këtij institucioni për monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale.

Në reagimin e nënshkruar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thuhet se Institucioni i Avokatit të Popullit, i themeluar me Kushtetutën e Kosovës, ka mandat të përgjithshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Qelaj ka theksuar se, në përgjigjen zyrtare të dërguar më 13 tetor kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka paraqitur argumentet juridike lidhur me mandatin dhe kompetencat e institucionit që drejton.

Sipas tij, përgjegjësia ekskluzive e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk nënkupton automatikisht se institucionit të Kosovës i mohohet kompetenca për t'u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.

“Përgjegjësia ekskluzive dhe kompetenca ekskluzive përbëjnë dy koncepte juridike të dallueshme, të cilat nuk mund të përdoren si sinonime”, thuhet në reagim.

Qelaj ka argumentuar se përgjegjësia ekskluzive nënkupton detyrimin e posaçëm të një institucioni për të përmbushur një funksion të caktuar, ndërsa kompetenca ekskluzive nënkupton autorizimin ligjor për të vepruar duke përjashtuar institucionet e tjera.

Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin se Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë, sipas vlerësimit të tij, deri më tani nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin monitorues për t'iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me të drejtat e njeriut të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara.

Sipas Qelajt, ekzistenca e një zyre të caktuar, pa ushtrimin efektiv të mandatit të saj, nuk duhet ta pengojë një institucion tjetër të themeluar me Kushtetutë që të kryejë monitorimin e të drejtave të njeriut brenda kompetencave të veta ligjore.

Megjithatë, ai ka sqaruar se qëndrimi i tij nuk nënkupton se mandati i Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës mbizotëron ose zëvendëson përgjegjësitë e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë.

“Qëndrimi i Avokatit të Popullit është se ekzistenca e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk e shuan, në vetvete, mandatin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Në reagim, Avokati i Popullit ka rikujtuar se që nga viti 2021, institucioni që drejton ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë edhe përmes korrespondencës zyrtare, ndaj së cilës, sipas tij, nuk ka marrë përgjigje.

Ai ka vlerësuar se mungesa e vazhdueshme e përgjigjeve ngre shqetësime serioze lidhur me transparencën dhe krijon perceptimin se informacioni mund të mbahet qëllimisht i fshehtë.

Qelaj ka theksuar se ngritja e shqetësimeve dhe dhënia e rekomandimeve për funksionimin e sistemit të drejtësisë janë në përputhje me mandatin ligjor të Institucionit të Avokatit të Popullit, të përcaktuar me Ligjin për Avokatin e Popullit.

Sipas tij, rekomandimet e tilla synojnë përmirësimin e praktikave institucionale dhe rritjen e besimit të publikut në administrimin e drejtësisë, pa cenuar pavarësinë gjyqësore.

“Pavarësia gjyqësore nuk mund të shërbejë si arsyetim për mungesën e transparencës ose të llogaridhënies institucionale”, ka theksuar Qelaj.

Në përfundim të reagimit, Avokati i Popullit ka vlerësuar se kufizimi i mandatit të një autoriteti kushtetues përmes deklaratave publike dhe qëndrimeve që ai i konsideron të paarsyetuara mund të cenojë rolin e një institucioni të pavarur kushtetues.

Ai ka theksuar se një qasje e tillë mund të shfaqë prirje për refuzimin e kontrollit demokratik, kritikës konstruktive dhe debatit publik./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *