TË FUNDIT

Franca: Avancimi i Kosovës drejt BE-së lidhet me zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit

Ministri i deleguar për Evropën në qeverinë franceze, Benjamin Haddad, të hënën, ka vizituar Kosovën. Ai është pritur nga udhëheqës të shtetit, e me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka nënshkruar disa marrëveshje që përfshijnë bashkëpunim juridik, Lojërat Mesdhetare dhe mësimin e frëngjishtes. E ne takimin me Haddad, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Haddad dha edhe mesazhe politike. Ua tregoi liderëve të Kosovës kushtet për integrim

Pesë marrëveshjeve mes Francës dhe Kosovës u është vënë firma të hënën. Bashkë me to, ministri i deleguar për Evropën në qeverinë franceze, Benjamin Haddad, shprehu edhe mbështetjen për integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Haddad tha se vizita në Prishtinë nënkupton edhe thellim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian varet nga një sërë kushtesh, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit, që sipas tij, është ligjërisht e obligueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

“Ky proces është i vështirë. Ai bazohet në angazhime ndërkombëtare. Në këtë rast, ai bazohet edhe në avancimin e zbatimit të angazhimeve brenda Marrëveshjes së Brukselit, të cilën e diskutuam. Dhe, sigurisht, në qasjen e bazuar në meritë, që është reforma, integrimi i kornizës ligjore të BE-së, forcimi i sundimit të ligjit, mbrojtja e pakicave, dhe ne do të jemi shumë kërkues për këtë”, ka deklaruar Haddad. “Ne do të jemi pranë Kosovës në çdo hap të këtij rrugëtimi, duke punuar së bashku për t’i bërë realitet këto ambicie dhe objektiva plotësisht legjitime dhe të arritshme. Besojmë se kjo është rruga drejt paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë”.

Ai u prit nga ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, i cili e falënderoi për mbështetjen e Francës.

Nikoqiri tha se me Hadadin diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë sigurinë, lojërat mesdhetare dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Republika e Kosovës e ka dëshmuar përkushtimin e palëkundur ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe përafrimit të politikave të saj edhe të jashtme edhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Evropa përballet me sfida të mëdha të sigurisë besueshmëria e projektit evropian varet nga një zgjerim më i shpejtë dhe më i drejtë dhe i bazuar në merita. Kosova ka bërë zgjedhjen e saj strategjike dhe zgjedhja jonë është Evropa”, ka deklaruar Konjufca.

Dy ministrat nënshkruan: Letrën e Qëllimit për themelimin e komunitetit kosovaro-francez për mbështetjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030; Marrëveshjen Administrative lidhur me mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë; Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale; atë për ekstradimin dhe Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillimin dhe Projektin e Lojërave Mesdhetare 2021, e cila përfshinë një kredi prej 60 milionë eurosh për renovimin e Konvikteve të Studentëve që do të përdoren si fshat olimpik.

Gjatë ditës, Haddad u prit edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në postimin e tij në facebook, Kurti ka thënë se vizita e ministrit Haddad vjen në vazhdën e drekës së punës që ai ka zhvilluar me Presidentin Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize.

“Sot, ky angazhim u konkretizua me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës. Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona të drejtësisë, në luftimin e krimit dhe sigurimin e llogaridhënies. Marrëveshja e kredisë prej 60 milionë eurosh dhe themelimi i Komitetit Francë–Kosovë do të mbështesin investimet infrastrukturore, përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe trashëgiminë e tyre afatgjatë. Ndërkaq, marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge zgjeron mundësitë për mësimin e saj dhe e afron më tej Kosovën me hapësirën frankofone”, ka shkruar Kurti.

Me Ministrin Haddad, Kurti ka thënë të ketë diskutuar për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe thellimin e partneritetit dypalësh.

“Kërkova mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. E falënderova Ministrin Haddad për vizitën dhe për angazhimin e tij në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Marrëveshjet e nënshkruara sot dëshmojnë se partneriteti ynë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në projekte, investime dhe rezultate konkrete për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.

Ndonëse kjo marrëveshje nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Po ashtu, që nga shtatori i vitit 2023, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim në nivel të udhëheqësve. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua në shtator të atij viti, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Gjatë sulmit të kryer nga një grup i serbëve të armatosur, mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë u plagosën. Ndërkaq, gjatë këmbimeve të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ky sulm e përkeqësoi edhe më tej situatën, ndërsa dialogu në nivelin politik që nga ai moment ka mbetur i ngrirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *